Nënshkruhet marrëveshja për zonën ajrore mes KFOR-it dhe ushtrisë serbe


E diel, 22 Nëntor 2015

Prishtinë – Sekretari gjeneral i NATO-s, ka lajmëruar sot se Aleanca veri-atlantike ka autorizuar komandantin e KFOR-it që ta bëjë relaksimin e plotë të “Zonës së Sigurisë Ajrore,” – një zonë 25 kilometershe që shtrihet përgjatë kufijve administrativë të Kosovës dhe Serbisë, e vendosur nga misioni paqeruajtës në Kosovë.

Në prani të komandantit të KFOR-it Gjeneral Major Guglielmo Luigi Miglietta dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Gjeneralit Dikoviq, në Prishtinë u nënshkrua marrëveshja mbi procedurat e përkohshme operative pas një relaksimi të plotë të Zonës së Sigurisë Ajrore.

“Ky vendim është marrë në përgjigje të konfirmimit të angazhimit të Republikës së Serbisë për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit dhe reflekton rekord pozitiv të bashkëpunimit në mes të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura Serbe brenda kuadrit të Komisionit të Përbashkët Implementues”.

“Relaksimi i ‘ Zonës ajrore të Sigurisë’, është një hap i rëndësishëm në normalizimin e plotë të hapësirës ajrore të Ballkanit. Kjo tregon se rajoni është në rrugën drejt integrimit të plotë në sistemin e menaxhimit të hapësirës ajrore evropiane,” thuhet në njoftimin e KFOR-it, përcjellë Klan Kosova.

Etiketa: ,