Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Nëse universitetet dështuan të përmbushin kërkesat minimale të cilësisë është faji i tyre

Prizren Post | 15:13 - 19.07.2019

PRISHTINË – Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairí O’Connell, e ka mbështetur vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mosakreditimin e Universitetit të Mitrovicës, Pejës dhe atij të Prizrenit.

O’Connell në një postim në Facebook ka thënë po ashtu se nëse universitetet kanë dështuar që të përmbushin kriteret e parapara, atëhërë është faji i tyre dhe jo i KSHC-së.

“Dy parime janë jetike për të ardhmen e Kosovës. Të rinjtë e Kosovës meritojnë një edukim të mirë që njihet ndërkombëtarisht. Institucionet e pavarura duhet të lejohen të veprojnë në mënyrë të pavarur pa ndërhyrje politike.

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për tërheqjen e akreditimit është një vendim i vështirë. Por universitetet duhet të plotësojnë disa kritere, veçanërisht nëse duan që vendet e tjera evropiane të njohin diplomat e tyre.

Nëse universitetet kanë dështuar, pavarësisht paralajmërimeve, për të përmbushur kërkesat minimale të cilësisë, është faji i tyre, jo faji i Këshillit.

Qeveria britanike dhe Këshilli Britanik i Akreditimit janë përpjekur të ndihmojnë universitetet publike dhe private për të përmbushur kërkesat e cilësisë.

Tani kjo çështje është një provë e vërtetë për Kosovën. Rezultati do të tregojë nëse sistemi arsimor i Kosovës është ndërtuar për t’u shërbyer qytetarëve të saj dhe interesit kombëtar, ose për t’i shërbyer një grupi të ngushtë njerëzish dhe interesash private.”, ka thënë O`Connell.


Etiketa:
Arivisti Company