E premte, 23 Qershor 2023
TIRANË – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për media theksoi se një shtyse e re, konkrete, nga Franca e Gjermania, me mbështetjen e SHBA, për finalizimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është sot një domosdoshmëri po aq alarmante sa situata në degradim të vazhdueshëm në veriun e Kosovë.
Rama theksoi më tej se interesi ynë kombëtar e interesi i Shqipërisë si shtet kërcënohet nga kjo situatë dhe siç tha ai “ky rajon nuk është as i Albinit as i Aleksandrit, ky rajon është i popujve, shteteve që e popullojnë dhe që e administrojnë”.
“Ky rajon ka vuajtur boll nga nacionalistët, nga nacional-folkloristët dhe përplasjet e vazhdueshme të cilat mund edhe të kenë pasur justifikimet e tyre në kohërat tjera, por si kanë më sot në mes të një Evrope që kërkon me çdo kusht të mbështesë paqe”, tha më tej kryeministri i Shqipërisë, raporton Telegrafi.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri thirrje për lirimin pa kushte të tre zyrtarë policorë të Kosovës, që janë arrestuar nga Serbia. Ai e cilësoi mbajtjen e tyre në paraburgim si “mbajtje peng” dhe e kritikoi qëndrimin që ka mbajtur Serbia.
“Mbajtja e tyre në burg është e pajustifikueshme dhe përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore (të Serbisë) për mbajtjen e 3 policëve të huaj, duke ngritur zërin për arrestimin e disa shtetasve serbë nga policia e Kosovës, është tejet shqetësuese”, deklaroi Rama.
Ai tha se “shtetet demokratike nuk u përgjigjen kurrë në këtë mënyrë arrestimeve që mendon se janë arbitrare” dhe shtoi se Serbia duhet të bashkëpunojë me KFOR-in për pretendimet e saj lidhur me arrestimet e serbëve në Kosovë.
Tre policë kufitarë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe më 14 qershor. Autoritetet serbe thonë se ata janë arrestuar thellë në territorin e Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e Kosovës theksojnë se tre policët kosovarë janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.
Etiketa: Aktuale, Edi Rama, Shqipëria, Veriu