Nga Siri Hoxha: Shporta me karavidhe


E diel, 25 Janar 2026
Nga Siri Hoxha: Shporta me karavidhe

(ose vijimi i një historie që nuk dihet kur ka filluar dhe nuk dihet se kur mbaron, por që dihet se do mbarojë….)

Kur filloi lufta në Gaza dhe ashtu si u zhvillua, ndjeva se ajo luftë do të groposte nën rrënojat e pashembullta të saj jo vetëm sistemet, të drejtën ndërkombëtare dhe gjithë lëmshin e hipokrizive politike të një bote të qelbur në thelbin e vet, proto dhe postkolonial, por do të përmbyste pa kthim gjithë përfytyrimin tonë mbi paradigmat më të rëndësishme globale që kishin formësuar jetën tonë.

Kjo është drejtësi e një Zoti që s’i bën padrejtësi askujt!

Më tej, ka një vit që ardhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë dhe mandatin e parë, ka prodhuar aq histori në vetvete sa s’kanë prodhuar të gjithë presidentët që nga koha e Niksonit! Por kuptimi sasior i tërë kësaj do ishte qesharak po të matej me brendinë e asaj që është prodhuar dukshëm apo lexuar midis rreshtash. Ngrehina e ligjit, të drejtës dhe organizatave ndërkombëtare, po thërmohet me shpejtësi marramendëse, ndërsa hasemi çdo ditë me sfida gjithëfarëlloji në ndërgjegjen tonë individuale dhe kolektive, se ku dhe si do ta shihnim veten, nëse do të ishim sprovuar me përgjegjësi në këto kohë.

Gjithmonë më ka ngacmuar ta kontekstualizoj veten dhe shoqërinë tonë në ortekun e periudhës së Luftës së Dytë Botërore e pas saj, për të kuptuar pozicionimet e klasës politike të kohës, si të atyre që u gdhinë fitimtarë e sidomos të atyre që u ngrysën humbës.

Rastisi që këto ditë të isha duke lexuar kujtimet e Francesco Jacomonit, nën titullin e stilizuar “Gjysma ime shqiptare”. Padyshim që i ndjeri, duke qënë njeriu kyç i një “bashkimi” politik – kështu e quan pushtimin, të përpiqet të relativizojë kuptimin e gjithshkaje ngjau në fatalizmin e zhvillimeve të dala dore. Megjithatë një ndjenjë e tmerrshme zhgënjimi të pushton kur lexon (edhe përkundër çdo mirëdashje dhe mirëkuptimi) qëndrimet e klasës politike të kohës. Servilizmi, disfatizmi dhe hipokrizia, e me tej shpirtvogëlsia, për të shitur një vend dhe një popull lehtësisht në duart e huaja janë aq spikatëse, sa e qartëson krejt dukshëm fundin e tyre të honshëm pas lufte. Dhe kështu fillon e u jep kuptim kuptimeve. Kjo është shoqëria jonë dhe klasa politike që ka dalë e del prej saj! Kujtoni kohën e komunizmit! Lidhjet me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik e Kinën, pështjellimin e zorreve kur ishim të lidhur pas tyre dhe të vjellat që të vijnë kur kujton prishjen me ta!

Në vitet e tranzicionit (krejt pa kuptim si term për një shtet në tranzicion të përjetshëm), që mban edhe mbiemrin e çuditshëm “demokratik”, jemi nginjur me një klasë krejtësisht të paaftë, për më tepër të poshtër, që pasi nuk i ka lënë gur mbi gur këtij vendi, pasi ka shitur lirë në tregun e krimit kombëtar e ndërkombëtar, nënë e baba, vetëm që të ketë një rol në kllounadën e përgjithshme të pazarit me fate njerëzish, ngrihet e të shet edhe moral patriotik me flamur thesin e grisur të nacionalizmit! E mbani mend se në ç’vrimë u futën në ’97-tën këta farë burrash?

Dhe ja tek vjen sfida e rradhës!  I trazon përsëri ujrat (që për hir të së vërtetës nuk gjejnë qetësi as edhe një ditë të vetme), Presidenti Trump! Fton, t’i bashkohen nismës së tij për Bordin e Paqes (trashë fare: OKB – në e re sipas shijeve dhe kuptimeve të tij të tregut imobiliar), lloj lloj liderësh e vendesh, ku të mjafton ftesa për Putinin e Netanjahun për të imagjinuar legjitimitetin dhe kredibilitetin! Që atij, që në emër të vendit i ka ardhur ftesa, nuk i shkon mendja ta refuzojë apo të shprehë ndonjëfarë kundërshtimi kjo nuk të befason, por egzaltimit të tij i merr të keqen Shefqet Vërlaci dhe “kurora” e zotërinjve që i çuan Kurorën e Shqipërisë Viktor Emanuelit III! Edhe Vërlaci mbajti fjalim para Musolinit, edhe ky do ta mbajë në Kneset, javën e ardhshme!

Është e lehtë të jesh gjykatës në gjyqin e historisë së të tjerëve, por është tejet e vështirë të jesh aktor!

Në fund vjen finalja e ditës së enjte, séanca në atë që, Zoti e di se pse, quhet ende Parlament! I Pari dhe i Vetmi i vendit, ju ka ngritur kurthin e rradhës. Nuk ka shkuar atje ku është ftuar, ndërsa me një ironi therrëse u thotë se midis ftesës së babait dhe vajzës vendosi të pranojë atë të vajzës! Vetë ua thotë, – ju më ngjani me një pyll kurthesh, ku të gjithë kurthet janë plot! Kërkojnë këta të tjerët, që duan ta shesin veten më të lartë moralisht(sic!!!) se I Pari, që diç t’i thonë por fjalët u ngecen në grykë, se atë që duhet t’ia thonë nuk ia thonë dot, se duhet t’ia thonë vetes së pari dhe ai prapë ua plas në fytyrë epërsinë e vet, sa kohë që ka pushtetin e pakufizuar dhe luan me fatin.

Pse i kërkojnë atij të analizojë ftesën para se t’i përgjigjet, kur në parlament nxitojnë kush e kush më parë të deklarojnë së ndjehen krenarë për këtë ftesë dhe s’kanë pritur për vete të bënin një analizë politike, madje e shprehin hapur frikën se mos keqkuptohen për çfarë po duan të thonë!

Kjo kalbësirë pa kurfarrë etike dhe formimi është klasa jonë politike, që do bënte me turp çdokënd që ka pak cipë në faqe! Dhe padyshim që ky vend përtej katandisjes në këtë derexhe, ka njerëz me moral e nder që turpërohen për ç’ngjan dhe e duan vendin si shtëpinë dhe familjen e tyre. Por këta i llogarisin të gjithë si veten. Ndërkaq kurthet në ditët që do vijnë do jenë edhe më të frikshme, zgjedhjet politike që duhen bërë gjithnjë e më të pamundura! Në fund Zoti do t’i nxjerrë cullak, ashtu siç e meritojnë, para historisë dhe së vërtetës! /tesheshi.com/


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit