Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Nikoliq: Serbia do të bëj referendum për Kosovën

Prizren Post | 10:45 - 29.12.2014

Beograd – Kryetari i Serbisë Tomislav Nikoliq mendon se ka ardhur koha që të Serbia të thotë se cila është zgjidhja për Kosovën nën të cilën nuk mund të shkohet, se Beogradi ka vetëm një politikë të cilën e ka imponuar Kuvendi i Serbisë dhe se populli në referendum duhet të japë vendimin definitiv.

Në një intervistë mbrëmë në televizionin Pink, Nikoliq ka thënë se në Kosovë “duhet të konstituohet Asociacioni i komunave serbe dhe të mos pranohen kërkesat që i ka paramenduar Prishtina” dhe se nuk duhet të pranohet sugjerimi i Brukselit për pezullimin e institucioneve paralele në veri të Kosovës, ngase “kjo do të thoshte se po heqim dorë nga parimet që i kemi marrë”.

“Mendoj se (kryeministri Aleksandar) Vuçiq ka një takim të vështirë nga fillimi i shkurtit në Bruksel, ku shumëçka do të bëhet më e qartë dhe mendoj se pas kësaj do t’i duhet qëndrimi i Kuvendit, të cilin do të mund ta ketë edhe si përkrahje për sjellje në Bruksel, por edhe udhërrëfyes se çka mund të përfaqësojë e çka jo dhe që pas kësaj të ndalemi njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Nikoliq.

I pyetur se a ka Serbia dy politika ndaj Kosovës, Nikoliq është përgjigjur se ekziston vetëm një politikë, “dhe kjo është politika të cilën ia ka imponuar Kuvendi i Serbisë edhe Qeverisë edhe kryetarit të Republikës dhe secilit përfaqësues i cili në çfarëdo mënyre vendos në cilindo segment se si do të jetohet në Kosovë”.

Sipas tij, në përbërjen e re të Komisionit Evropian ka ndodhur “diçka që është nga pak brengosëse”, e që nuk ka mundur të dëgjohet më parë nga Catherine Ashton dhe Stefan Fule, se do të ekzistojë kërkesa për njohjen e Kosovës.

Presidenti serb konsideron se populli në referendum duhet të vendosë se a do t’i pranojë të gjitha kushtet e Bashkimit Evropian dhe se verdikti i qytetarëve të Serbisë, çfarëdo qoftë ai, patjetër do të duhet të zbatohet.

“Sikur qytetarët e Serbisë të më thonë ta nënshkruaj pavarësinë e Kosovës, unë do të largohesha nga funksioni në të cilin jam”, ka thënë presidenti serb Nikoliq./zeri/


Arivisti Company