Nishani ankohet se qeveria po ia merr kompetencat


E mërkurë, 7 Maj 2014

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë një takimi me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s në vendin tonë është ankuar për qeverinë. Nishani tha se, nismat më të fundit të qeverisë po ia heqin kompetencat atij. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në fjalën e tij shprehu shqetësim për 3 ligje të paraqitura nga qeveria që lidhen me Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Kreu i shtetit gjithashtu shprehu shqetësimin edhe për atë që e cilëson si, “mungesë të transparencës së procesit, mungesën e konsultimeve paraprake me aktorët dhe faktorët e përfshirë, koherencën kushtetuese dhe me ligjet në fuqi, respektimin e parimit të kontrollit dhe balancës së pushteteve dhe ruajtjen nga politizimi për vendimmarrje strategjike, që kanë të bëjnë me tre projekt–ligje të përgatitura kohët e fundit, dhe konkretisht me projekt-ligjin “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Drejtimit dhe Komandimit Strategjik të Forcave të Armatosura”, projekt-ligjin “Për Gradat dhe Karrierën Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, si dhe projekt-ligjin ‘Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes’”.

Nishani gjithashtu tha se, Projekt-Struktura e Forcave të Armatosura ka mangësi kritike për sa i përket procesit, edhe nga ana ligjore.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani deklaroi pak ditë më parë se me projektligjin “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Drejtimit dhe Komandimit të Forcave të Armatosura”, kryeministri Edi Rama kërkon të vërë sipas tij nën kontroll pronat e ushtrisë.

Kreu i shtetit e quajti këtë projektligj të panevojshëm duke pretenduar se me heqjen e kompetencave që ai gëzon me Kushtetutë, shkelet ndarja e pushteteve dhe deformohen mekanizmat e demokracisë. Nishani ka paralajmëruar se shqetësimet e tij do t’ia u bëjë të ditura edhe partnerëve të Shqipërisë si edhe vendeve anëtare të NATO-s.

Kreu i shërbimit sekret ushtarak nuk do të emërohet nga Presidenti i Republikës, por nga Kryeministri. Qeveria ka miratuar draftin për shërbimin e ri sekret ushtarak, duke ia hequr kompetencën kreut të shtetit në emërimin e shefit të inteligjencës së ushtrisë shqiptare.

Qeveria ka vendosur Shërbimin e dikurshëm Inteligjent të Ushtrisë (SHIU-n) t’i ndryshojë sërish emrin institucionit, duke e kthyer nga Agjencia Inteligjente e Mbrojtjes (AIM) në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM).

Më tej në fjalën e tij, Presidenti Nishani u shpreh se ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë programin e qeverisë për reformat në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke synuar arritjen e një konsensusi sa më të gjerë, në interes të rritjes së sigurisë kombëtare dhe përmbushjes së detyrimeve ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Ai theksoi se mbetet i vendosur për të kontribuar, me të gjithë autoritetin që i jep ligji, që çështjet e sigurisë të trajtohen në përputhje me kushtetutën, ligjet dhe praktikat më të mira të vendeve të NATO-s./shekulli/

Etiketa: , , ,