Nishani: Shqipëria nuk mund të shërbejë si makijazh për Serbinë


E hënë, 28 Shtator 2015

Tirane – Presidenti Bujar Nishani thotë se Shqipëria nuk mund të shërbejë si makijazh për Serbinë. Në një intervistë për gazetën “Express” në Kosovë, Nishani është shprehur se si dy vende të Ballkanit, Shqipëria dhe Serbia duhet të jenë të interesuara në relaksimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Nishani u shpreh se Shqipëria nuk mundet dhe nuk duhet të zhvendosë rëndësinë e vëmendjes dhe realitetin rajonal që ka dialogu midis Serbisë dhe Kosovës në kontekstin e një dialogu midis Serbisë dhe Shqipërisë.

“Shqipëria nuk mund të shërbejë si një “make up”, që do të thotë, duhet të kemi shumë kujdes për arsye, sepse Shqipëria është dhe duhet të jetë e interesuar, po aq sa edhe Serbia, në çështjen e relaksimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë. Jemi dy vende të rajonit të Ballkanit. Padyshim, që Shqipëria reflekton problematikën e madhe që pati lufta dhe gjenocidi i egër i Serbisë së Milosheviçit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Por, nga ana tjetër, Shqipëria është dhe do të mbetet në qasjen për të parë nga e ardhmja në mënyrë të tillë, që, duke mos harruar atë kalvar vuajtjesh që solli lufta dhe tentativa për spastrim etnik dhe gjenocidi që u ushtrua ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ne duhet të krijojmë një ambient të ri, një ambient bashkëpunimi, një ambient ku mosbesimi të zëvendësohet nga besimi.

Proceset integruese europiane, janë procese që e ndihmojë, pa diskutim, këtë frymë dhe këtë qasje. Por, nga ana tjetër, Shqipëria nuk mundet dhe nuk duhet assesi që të zhvendosë rëndësinë e vëmendjes dhe realitetin rajonal që ka dialogu midis Serbisë dhe Kosovës në kontekstin e një dialogu midis Serbisë dhe Shqipërisë. Pra, dialogu dhe bashkëpunimi midis Serbisë dhe Shqipërisë ka një profil krejt tjetër. Profili që është ka të bëjë me dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Është një profil, i cili, kërkon në radhë të parë, që të shërojë plagët e rënda që ka shkaktuar lufta e Serbisë në Kosovë, gjenocidi i Serbisë në Kosovë. Dhe, nga ana tjetër, të kontribuojë një relaksimi të marrëdhënieve rajonale. Padyshim, që Shqipëria mund të ndihmojë. Ne, na intereson, të zhvillojmë marrëdhënie ekonomike me Serbinë. Por, nga ana tjetër, interesat kombëtare të Serbisë janë interesa kombëtare të Serbisë. Padyshim, çdo vend dhe çdo komb punon, natyrisht, duke respektuar standardet ndërkombëtare në përmbushje të interesave kombëtare të tij. Por, interesi kombëtar i Shqipërisë është tjetër. Kështu që në këtë aspekt, ne, udhëhiqemi dhe priremi nga interesi kombëtar që është preambulë e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Çështja e interesit kombëtar është një angazhim. Besoj se duhet të jemi krenarë për punën që bëjmë, për angazhimin që bëjmë për sa i takon çështjes së identitetit dhe interesit kombëtar”, u shpreh Nishani në intervistë./shekulli/

Etiketa: ,