Çarşamba, Şubat 4th 2026

Me qokën e re ndaj Tel Avivit, Tirana zyrtare po sfidon Uashingtonin dhe Ankaranë
Edi Rama ka hyrë në një kurs të rrezikshëm gjeopolitik ku po humbet çdo sens të masës dhe të sigurisë kombëtare. I ndikuar ende nga avujt e vëmendjes ndërkombëtarë, kryeministri po i shndërron raportet me Tel Avivin në një varësi që kërcënon themelet e sovranitetit tonë.
Pas vizitës skandaloze në Izrael, ai hodhi hapin e radhës: dorëzimin e aseteve dixhitale te kompanitë izraelite. Kjo lëvizje e cenon sigurinë tonë kibernetike dhe destabilizon balancat tona diplomatike. Në “Tirana Diplo 2024”, Rama e quajti Turqinë një partnere strategjike të Shqipërisë.
Por, me këtë pakt të ri, ai po nxit një ftohje të sigurt me Ankaranë. Turqia nuk do ta shohë kurrë me sy të mirë këtë aleancë kaq të ngushtë me kundërshtarin e saj më të madh rajonal. Çmimi i duartrokitjeve në parlamentin izraelit, po paguhet me sovranitetin tonë dixhital.
Sipas raportimeve mediatike, kompania izraelite ADC mori brenda dymuajsh tokë shtetërore dhe privilegje të paimagjinueshme. Këto do të pasohen nga 100 milionë eurot e investimit në qendrën e ruajtjes së të dhënave. Pra me këtë akt, Rama po u dorëzon izraelitëve “trurin” e shtetit: regjistrat civilë, sistemet bankare dhe të dhënat më të ndjeshme.
A mjafton fakti që izraelitët janë të aftë në kibernetikë për të pranuar këtë pakt? Absolutisht jo. Në botën e inteligjencës, aftësia është mjet për monitorim dhe infiltrim. Të dorëzosh të dhënat sepse partneri është “i zoti”, është si t’i japësh çelësat e kasafortës një hajduti.
Kryeministri ka harruar se edhe vetë amerikanët e kanë pësuar nga agjentët e Mossad-it. Agjentë në shërbim të Tel Avivit, kanë vjedhur sekrete nga brenda strukturave më të larta të Uashingtonit. Dhe nëse SHBA-ja u gjend e pambrojtur, çfarë garancie ka Shqipëria?
Dhe, a është konsultuar Rama me SHBA-në për këtë “Kalë Troje” gjeopolitik?
Kjo lojë e rrezikshme me dy porta, po e kthen vendin në një laborator ku kontrollin e kanë të huajt. Ndërsa propaganda qeveritare zhurmon për “Shqipërinë e gjeneratës tjetër”, realiteti i hidhur është se po kthehemi në një protektorat dixhital pa zot.
Nuk ka “diplomaci ekonomike” që e justifikon zhveshjen e shtetit përpara interesave të vendeve të huaja. Në këtë dalldi që e ka kapur, Rama po harron një të vërtetë: në epokën moderne, kush zotëron serverët, zotëron lirinë e kombit.
Ai sapo i dorëzoi ato pa asnjë kusht, duke e lënë Shqipërinë të ekspozuar në mesin e një stuhie gjeopolitike që nuk po e kupton apo që po refuzon ta shohë…/tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
