Norvegjia mbështet Kosovën drejt liberalizimit të vizave


E mërkurë, 30 Mars 2016

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Petrit Selimi,është takuar me homologun e tij norvegjez, Børge Brende, i cili konfirmoi mbështetjen e shtetit të tij në procesin e e liberalizimit të vizave.

Sipas komunikatës, ministri Selimi dhe homologu i tij norvegjez e zhvilluan këtë takim në Tiranë, në margjina të ministerialit të ministrave të jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor, i cili zyrtarisht nis punimet nesër.

Në këtë ministerial të vendeve të rajonit do të marrin pjesë rreth dhjetë ministra të jashtëm të Ballkanit dhe me gjerë, zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian, si Sekretari francez i Shtetit për Çështjet Evropiane, Harlem Désir, Nënsekretarin italian të Shtetit për Punë të Jashtme, Vincenzo Amendola, etj.

Ministri i Jashtëm Selimi e falënderoi ministrin norvegjez Brende për grantin investiv prej rreth 300 mijë euro, me të cilin Mbretëria e Norvegjisë e ka përkrahur diplomacinë dixhitale të Kosovës, dhe për projektin për avancimin e sistemit të vizave, i cili ka mundësuar përmbushjen shumë më të shpejtë të kritereve për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Selimi dhe Brende diskutuan edhe për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe për rritjen e koordinimit ndërshtetëror për aplikimin dhe anëtarësimin e Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe rritjen e ndërveprimit me NATO-n, ku Norvegjia ka rol të rëndësishëm.

Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Børge Brende, vlerësoi lartë angazhimin e institucioneve të Kosovës në dialogun me Serbinë dhe për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Ministri i Jashtëm norvegjez po ashtu tha se Norvegjia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.

Norvegjia është partnere e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe, njëhërësh, lobuese e fuqishme për njohjen e saj në arenën ndërkombëtare.

Etiketa: ,
Të fundit