Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Nxënësit mund t’i bëjnë horë arsimtarët, jo anasjelltas!

Prizren Post | 20:55 - 13.02.2017

Haris ADEMI

Rasti i mësueses nga shkolla fillore “Emin Duraku” që i turpëroi nxënësit në Facebook mund të konsiderohet edhe një shans shumë i volitshëm që të arrihet një vetëdijësim për cilësinë e arsimit në Kosovë. Gjithë panika e krijuar në rrjetet sociale dhe në portale nuk ishte edhe aq e nevojshme për t’u bërë top-temë gjatë disa ditëve rresht. Megjithatë, ky është një mësim për ngritje të zërit të palës së kundërt, tash të nxënësve, për cilësinë e dobët që e ofrojnë arsimtarët për mësim të gjeneratave të reja.

Dështimi në PISA më së miri ka treguar se me çfarë kuadrosh dhe me çfarë cilësie edukohen nxënësit nëpër shkollat fillore. Në një kohë kur shtetit i duhen më së shumti të rinj mendjendritur e vizionar, sot po u shtypen aftësitë në format nga më të ndryshmet. Kreativiteti i mësueses u vu në pah me inovacionin që solli në vendin tonë duke i publikuar “dështakët” e klasës në Facebook. Ata fëmijë janë abuzuar dy herë. Së pari nga mësuesja e tyre. Së dyti nga mediat dhe rrjetet sociale. Tematizimi i tyre ndikon në aspektin psikologjik të tyre dhe mund të ketë edhe pasoja. Domethënë, përveç që nuk ofrohet një cilësi mësimi, tentohet që edhe ai nivel ekzistues të zbritet. Çfarë hipokrizie!
Anomalia vazhdon jo vetëm në llojin e lartëcekur të rrjetit social, por në pothuajse të gjitha të tjerat, Twitter, Instagram, Snapchat etj.

Në anën tjetër, ata që e meritojnë një sjellje të tillë ndaj tyre janë pikërisht vetë arsimtarët, gjithëherë me përjashtime. Ata meritojnë të publikohen e të turpërohen për pasivitetin, sjelljen e veprimet e kundërligjshme të tyre në raport me obligimet profesionale e etike.

Në shkollat tona sheh arsimtarë që “lepiten për karrige” gjatë tërë orës e as s’e marrin mundin të spjegojnë. Pse mos me publiku një dukuri të tillë?
“Ky arsimtar nuk spjegon asnjëherë. Shumë keq.”

Nëpër klasa ushtrohet dhunë fizike e psikologjike ndaj nxënësve. Edhe pse në media nuk kanë munguar pamjë të dhunës fizike të mësimdhënësve, ato ende nuk e tregojnë numrin real sepse raste të tilla ka shumë.

“Sot mësuesi më quajti budall. Shumë keq.”
Me një vizitë të thjeshtë në një shkollë fillore mund të vërehet shumë lehtë mosrespektimi i orarit. Lëvizjet në korridore vazhdojnë edhe pasi që të fillojë koha e mësimit.
“Këta arsimtar do të duhej të ishin nëpër klasa e jo në korridor. Shumë keq.”
Në shkollat tona bëhen favorizime në notime për nga aspekti familjar dhe nga interesi.
“Ky arsimtar ia qiti 5-she pa meritë djalit të asambleistit. Shumë keq.”

Arsye e fortë pse kemi dështuar në PISA është se nxënësit nuk e zhvillojnë mendimin kritik në shkollën fillore. Arsimtarët nuk përdorin metoda që t’i nxisin fëmijët të mendojnë e të shprehen lirshëm. Përkundrazi autoriteti që e mendojnë se e kanë i bënë të ndihen inferiorë ndaj mendimeve e shprehjeve të disa fëmijëve ende të paformuar.

“Sot arsimtari ma ndërpreu fjalën. Më tha se jam i vogël me kallzu se çka mendoj. Shumë keq.”
Këto mund të jenë vetëm disa nga shumë arsyet që nxënësit mund t’i kundërvihen veprimit të një arsimtareje të pjekur. Nxënësit kanë më shumë arsye që ta përdorin metodën e mësueses së “Emin Durakut”. Ajo mësuese duhet të merret në pyetje: A ua ka spjeguar tematikën e poezisë që ua ka dhënë për ta mësuar përmendësh apo vetëm i ka obliguar që ta mësojnë, i ka bërë marioneta, i ka detyrar të mësojnë mekanikisht. Dhe në fund e zgjedh mënyrën e saj të dënimit. Qëllimi i saj nuk është arritur. Fëmijët s’janë poshtërurar me atë veprim. Ata që mund të poshtërohen janë vetë arsimtarët. Kjo i bjen mos pështyj përpjetë se t’kthehet në fytyrë!

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Etiketa:
Arivisti Company