E premte, 25 Tetor 2013
Një raport i ri thotë se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar thirrjet telefonike të 35 udhëheqësve botërorë.
Raporti në gazetën britanike “Guardian” citon një dokument të vitit 2006, i cili është nxjerrë nga ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden.
Raporti nuk përmend emrat e udhëheqësve që janë përgjuar nga Agjencia për Siguri Kombëtare e Shteteve të Bashkuara.
Ai thotë se zyrtarët amerikanë i kanë dhënë kësaj agjencie mbi 200 numra telefoni për 35 udhëheqës, të cilët janë siguruar nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Mbrojtjes dhe Departamenti i Shtetit.
Zbulimi vjen në kohën, kur në Gjermani ka shpërthyer zemërimi për shkak të dyshimeve se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar thirrje telefonike të kancelares Angela Merkel.
Të enjten, Shtëpia e Bardhë nuk e ka mohuar se ka përgjuar telefonin e Merkelit, por ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në të ardhmen.
Zyrtarët amerikanë thonë se, përgjimi i bërë nga Shtetet e Bashkuara është i nevojshëm për të penguar komplotet terroriste dhe është i ngjashëm me spiunazhin që kryhet nga shumë shtete.
Por, kritikët, duke u thirrur në dokumentet e zbuluara nga Snowden, thonë se agjencitë amerikane kanë shkuar përtej asaj që është e nevojshme për të luftuar ekstremistët.
Në një samit të Bashkimit Evropian, presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, ka thënë se udhëheqësit e Gjermanisë dhe të Francës duan të negociojnë një “mirëkuptim” me Uashingtonin, mbi punën e shërbimeve të inteligjencës.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ka thënë se për shumë evropianë, përgjimet e telefonatave apo të e-maileve janë të papranueshme, sepse ato ngrenë spektrin e regjimeve totalitare.
Raportet thonë se disa politikanë evropianë kanë bërë thirrje për pezullimin e bisedimeve me Uashingtonin për marrëveshjen e tregtisë së lirisë midis BE-së dhe SHBA-së, për shkak të akuzave për spiunim.
Por, ato janë hedhur poshtë nga kryeministri i Italisë, Enrico Letta, i cili ka thënë se nuk ka “asnjë lidhje” midis spiunimit dhe çështjeve tregtare. /rel/
Etiketa: Amerika, Barack Obama, pergjimet