OKB:Trajtojeni me prioritet procesin e gjetjes së të zhdukurve


E enjte, 26 Qershor 2014

image

​Grupi Punues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet e Detyrueshme dhe të Pavullnetshme ka paraqitur të gjeturat gjatë vizitës në Kosovë duke treguar për nevojën e riidentifikimit, rëndësinë e dialogut për marrjen e informatave për zbardhjen e fatit të 1711 personave të pagjetur, 532 prej tyre të komunitetit serb.

Jasminka Dzumhur thotë se është një proces i vështirë dhe shumë i dhimbshëm posaçërisht për familjarët e personave të zhdukur, duke ftuar të gjithë akterët të përfshirë në procesin e gjetjes së të zhdukurve që këtë çështje ta trajtojnë me prioritet.

Institucionet përkatëse, sipas Dzumhur, duhet të kenë resurse financiare dhe përkrahje teknike për t’i përmirësuar kapacitetet e tyre për këtë çështje.

“Ne e dimë gjithashtu se këto çështje humanitare dhe e të drejtave të njeriut duhet të jenë pjesë e procesit politik të lehtësuar nga BE-ja. Pa një proces të tillë në agjendë nuk është e mundur që të këmbehen informatat dhe të këmbehen kërkesat. Dhe ne e trajtojmë këtë si çështje humanitare të të drejtave të njeriut… Duhet të ketë dialog të fuqi zuar në mes të prokurorëve të cilët mund ta bëjnë këtë drejtpërdrejtë për të arritur këtë duhet të ketë platformë politike, dhe roli i UNMIK-ut dhe EULEX-it duhet të jetë që të lehtësojë themelimin dhe fuqizimin e dialogut tanishëm mes Beogradit dhe Prishtinës”, shprehet anëtarja e grupit punues Jasminka Dzumhur.

Për Kryesuesin e Grupit Punues të Kombeve të Bashkuara Kundër Zhdukjes me Forcë, Airel Dulitzky, ka nevojë për përkushtim të fortë politik dhe udhëheqje të fortë politike, nuk duhet të bëhen kalkulime dhe konsiderata të cilat do të mund të justifikonin vonesën e zgjidhjes së këtij problemi.

“Ne besojmë se duhet të ketë stimulime më të mëdha dhe kushte më të mira, për të mundësuar që njerëzit të dalin me informata konkrete që mund qojnë në sqarimin e fatit të personave të zhdukur, dhe ne besojmë se akterët e ndryshëm ndërkombëtar, duke përfshirë Tribunalin e Hagës, KFOR-i duhet t’i hapin të gjitha arkivat dhe dosjet e tyre për të ofruar informata potenciale që mund të qonin në sqarimin e fatit të zhdukurve”, deklaron Dulitzky.

Ata rekomandojnë se duhet të bëhet më shumë për të ngritur kapacitetet e gjyqtarëve dhe prokurorëve vendor, dhe se duhet përkrahje më e madhe institucionale dhe politike për të siguruar pavarësinë e tyre.

Po ashtu, kanë shprehur shqetësim për sistemin gjyqësorë në Kosovë duke e vlerësuar si të dobët dhe shumë të ngadalshëm.

Grupi ka realizuar vizitën në Kosovë në një mision faktmbledhës për çështjen e personave të pagjetur.

Në përbërje të Grupit Punues janë: Ariel Dulitzky, Jasminka Dzumhur, dhe Osman el-Hajje. Ata janë takuar me presidenten Jahjaga, Grupin Punues për Personat e Zhdukur dhe Kom isionin Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, ekspertët e OKB-së janë takuar me përfaqësues të autoriteteve të Kosovës, me familjarë të personave të zhdukur, me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, si dhe me grupe të tjera të interesit.

Ekspertët kanë vizituar edhe Graçanicën dhe Rezallën./rtk/