Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Opozita e vendosur të mos ia krijojë kuorumin koalicionit qeverisës

Prizren Post | 18:18 - 08.07.2019

PRISHTINË – Partitë politike opozitare në Kuvendin e Kosovës konsiderojnë se mungesa e shumicës parlamentare dhe e legjitimitetit për të udhëhequr me institucione, po pamundëson funksionimin normal të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e partive opozitare theksojnë se Kuvendi për më gjatë se dy muaj është duke funksionuar vetëm me seanca të jashtëzakonshme, të cilat është duke i thirrur opozita.

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se LDK-ja, si parti opozitare, do t’i vazhdojë veprimet në Kuvend për të pamundësuar drejtimin e institucioneve nga partitë politike, dhe siç tha ai, njerëzit pa legjitimitet që drejtojnë me institucionet.

“Kuvendi praktikisht është paralizuar. Kuvendi ka muaj që funksionon vetëm me seanca të jashtëzakonshme që kërkohen kryesisht nga opozita, për çështje që bëhen të jashtëzakonshme për shkak se koalicioni PAN [koalicioni qeverisës] nuk ka fuqi që [proceset] t’i çojë përpara. Në bazë të disa vlerësimeve të organizatave që e mbikëqyrin punën e Kuvendit, 17 deri 18 për qind është realizuar agjenda legjislative dhe kjo jo për faj të opozitës, por për shkak se koalicioni qeverisës nuk ka shumicë në Kuvend”, tha Hoti.

Ai tha se me këtë formë të qeverisjes çdo ditë e më shumë po dëmtohen proceset vitale të vendin.

“Është me rendësi që sa më parë të kemi institucione që kanë legjitimitet qytetar”, tha Hoti.

Albulena Haxhiu, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se Kuvendi i Kosovës ka kohë që nuk është funksional, dhe se sipas saj, në rrethana të tilla qeverisja aktual duhet të japë dorëheqje.

Ajo tha se Vetëvendosje, nuk do të braktisë punimet e seancave, por nuk do të shërbejë për krijimin e kuorumit.

“Ne do të vazhdojmë punën nëse thirren seancat, por nuk do t’ua mundësojmë kuorumin. Opozita nuk bën kuorum, opozita bën kritika, jep edhe propozime siç kemi bërë dhe bëjmë, por në asnjë moment ata nuk mund të mbështeten në votat tona”.

“Nëse thonë se janë të fuqishëm dhe duhet të vazhdojnë të qeverisin, atëherë le t’i gjejnë numrat”, tha Haxhiu.

Ajo tha po ashtu se në mungesë të votave në Kuvend, koalicioni qeverisës po kërkon të bëjë pazare me partitë opozitare për të arritur numër të mjaftueshëm të votave për çështje të caktuara. Një tentim i fundit, tha Haxhiu, ishte në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit.

“Kryesia e Kuvendit kërkonte pazar me opozitën. I bënte pyetje opozitës se cilat janë pikat që opozita do t’i votonte për të mbajtur seancë. Ne nuk jemi këtu për të bërë pazare. Ne kemi strategjinë tonë opozitare, ne kemi prioritetet tonë si opozitë, si Vetëvendosje”, tha ajo, njofton Telegrafi.


Etiketa:
Arivisti Company