Osmani: Peticioni është “mënyra më demokratike” për shpallje të zgjedhjeve në veri


E mërkurë, 7 Qershor 2023

PRISHTINË – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova mund t’i shpallë zgjedhjet e reja në komunat në veri të Kosovës, nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, Osmani ka thënë se beson që peticioni është “mënyra më demokratike” për shpallje të zgjedhjeve.

“Në këtë mënyrë, mendoj që garantojmë pjesëmarrjen e serbëve, sepse kërkesa do të duhej të vinte prej tyre, prej qytetarëve”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se largimi i kryetarëve aktualë, përmes një peticioni, do të ishte “në lloj referendumi”, i cili do të hapte rrugë për një proces të dytë zgjedhor.

Ajo ka thënë se gjithë procesi mund të kryhet brenda muajsh.

Osmani ka thënë se para se të shpallen zgjedhjet e reja, Kosova duhet të marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar që Beogradi nuk do të ndërhyjë.

Etiketa: , , , , ,
Të fundit