Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Pabesia e Enver Hoxhës – Si e shiti çetën “Çamëria” tek grekët me ndërmjetësimin e serbëve

Prizren Post | 16:33 - 01.07.2017

Marrëveshja me grekët / Enver Hoxha: “Çamëria e jashtme” mund të kthehet në thikë të rrezikshme për marrëdhëniet mes dy popujve miq grekë e shqiptarë.

E krijuar më 2 shkurt 1943, në fshatin Markat të rrethit të Sarandës, çeta partizane “Çamëria” ishte formacioni i parë luftarak në Jug të Shqipërisë. Ishte bërthama e parë e grupit të katërt partizan të zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër. Më vonë, ky informacion mori emrin brigada e 19 sulmuse. Komandanti dhe krijuesi i çetës partizane Çamëria ishte patrioti çam Haki Rushiti. Aktivitetet luftarake të Çetës Çamëria kundër okupatorëve italo-gjermanë mbulonin gjithë Jugun e Shqipërisë. Lufta e Konispolit ishte lufta më e ashpër dhe më e pabarabartë ku çeta Çamëria me heroizëm të pashoq, i bëri ballë për më shumë se një muaj fuqisë ushtarake gjermane që vinte nga Greqia dhe kërkonte të hynte nëpërmjet Qafë- Botës në Jug të Shqipërisë.

Beteja filloi më 5 gusht 1943 dhe vazhdoi deri më 11 shtator 1943. Në këtë betejë të pabarabartë që vazhdoi dhe trup më trup, u vranë më shumë se 200 gjermanë, kurse nga ana e partizanëve të çetës Çamëria mbetën të vrarë 12 partizanë dhe u plagosur 17 të tjerë. Pas kësaj beteje ndodhi e papritura. Shtabi i Përgjithshëm me Enver Hoxhën në krye e coptuan këtë formacion luftarak. I ndërruan emrin nga çeta “Çamëria”, në çeta “Thanas Ziko” dhe me vonë e mori emrin “Lefter Talo”. Komandatët e çetës si Haki Rushiti dhe drejtuesit e tjerë, u ndoqën dhe persekutuan dhe si përfundim identiteti dhe përpjekjet e kësaj çete u zhduken plotësisht nga historia e Shqipërisë.

Enver Hoxha dhe komunistët e shkatërruan këtë njësit luftarak, mohuan luftën dhe sakrificat për liri të çamëve, duke arritur deri në tradhëti të interesave kombëtare dhe në shërbim të interesave greke. Kontrolli i çetës “Çamëria” dhe shpërbërja e saj, nuk qe e rastësishme, por e programuar qartë nga Enver Hoxha dhe miqtë e tij jugosllavë në marrëveshje të plotë me grekët.


Etiketa:
Arivisti Company