Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Pacientëve që vdiqën në QKUK, nuk u është kryer obduksioni

Prizren Post | 14:33 - 14.09.2017

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Qendra Klinike Universitare e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se që nga dita e enjte në klinikat kirurgjike në QKUK, janë raportuar dy raste të vdekjeve të ndodhura gjatë operacionit.

Por këtyre dy rasteve, edhe pse të cilësuara si vdekje të dyshimta nuk u është kryer autopsia. Kjo pasi që familjarët e pacientëve të ndjerë , kanë nënshkruar dokumentin përmes së cilit ata nuk lejojnë që viktimave te cilat kanë ndërruar jetë në operacion t’iu bëhet autopsia. Viktimat tashmë janë varrosur. Por do të jenë organet e hetuesisë, ato  të cilat janë duke e hetuar rastin, ato që do të mund ta bëjnë zhvarrosjen e këtyre dy personave për t’i zbardhur plotësisht shkaktarët që quan deri në vdekjen e tyre.

Shemsi Veseli, anëtar i Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), ka konfirmuar të mërkurën për Gazetën Express se kanë qenë familjarët e pacientëve të ndjerë ata të cilët nuk kanë dashur që atyre t’iu kryhet obduksioni. Për njërin rast siç shpjegon Veseli ka dokument të nënshkruar nga familjarët që nuk po lejon kryerjen e obduksionit, ndërsa për rastin tjetër në mënyrë verbale familjarët kanë refuzuar kryerjen e autopsisë.

“Kolegët tanë kanë kërkuar që t’iu bëhet obduksioni, por familjarët e kanë nënshkruar dokumentin që nuk po duan që t’u bëhet obduksioni. Për njërin rast është me shkrim dokumenti që familjari nuk ka lejuar që të kryet obduksioni. Për tjetrin është verbal, dmth në aspektin gojor. Obduksionet nuk janë bërë, dhe kjo tashmë nuk është në dorën tonë”, ka shpjeguar Veseli.

Tutje ai ka treguar se me Ligjin e ri, ekipi mjekësor është i obliguar që ta marrë miratimin e familjes së pacientit për obduksion.

“Ne me ligjin e ri nuk na lejohet neve që çdo vdekje si të dyshuar e kemi pas obligim që ta dërgojmë në Mjekësinë Ligjore dhe t’iu bëhet obduksioni. Me ligjin e ri kur vdes pacienti, ai nuk llogaritet më që është pacient. Por nga aspekti ligjor familja nëse kërkon nga prokuroria, atëherë është në dorën e prokurorit a do t’i bëhet kufomës obduksioni”, ka thënë Veseli.

E ndërkohë rezultatet e analizave të Institutit të Toksikologjisë në Tiranë do të zbardhin shkaktarin e dy vdekjeve të dyshimta, të cilat kanë ndodhur gjatë javës së kaluar në sallat e Klinikës së Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Për vdekjet e dyshimta që kanë ndodhur në QKUK, Prokuroria e Shtetit ka autorizuar policinë që të nisë hetimet. Gjithashtu është duke u hetuar edhe kompania kontraktuese për furnizim me gaz mjekësor.


Etiketa:

Bëni një koment

Arivisti Company