Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Pacolli: Prishtina dhe Gjakova, tonat

Prizren Post | 11:03 - 16.09.2013

Presidenti i rizgjedhur i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka thënë se është privilegj i madh ta udhëheqë këtë parti edhe për një mandat katërvjeçar.

Ai në këtë intervistë për “Epokën e re” ka deklaruar se AKR-ja nga procesi i brendshëm zgjedhor ka dalë më e fuqishme se kurrë më parë.

Pacolli ka thënë se ka ardhur koha që idetë dhe vizioni i AKR-së të jetësohen në Republikën e Kosovës. Duke folur për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 3 nëntor, Pacolli ka thënë se këtë herë AKR-ja do t’i fitojë disa komuna.

Në këtë kontekst, Pacolli ka shprehur optimizëm se Mimoza Kusari-Lila dhe Korab Sejdiu do të dalin triumfues.

“I kemi mundësitë e mëdha për ta fituar Gjakovën. Këtë komunë, siç dihet, ne një herë e kemi fituar, por është keqtrajtuar vota e qytetarit dhe tash qytetari është bindur se është keqtrajtuar, se është vjedhur vota e tij. Në këtë komunë ne kemi të njëjtën kandidate, Mimoza Kusari-Lila, e cila për mua është femra më e votuar në Kosovë, është femra më punëtore në Kosovë, është femra më e sinqertë në Kosovë, sepse nuk mund të jesh i sinqertë nëse nuk je punëtor. Këto të dyja shkojnë bashkë. Ajo ka kapacitete për ta udhëhequr këtë komunë. Dhe që sot mund të them se fituese e zgjedhjeve në Gjakovë do të jetë Mimoza Kusari-Lila, e cila në të ardhmen do ta udhëheqë Gjakovën me dinjitet”, ka thënë Pacolli.

AKR-ja, ka thënë Pacolli, gjithmonë ka pasur një bazë të fuqishme edhe në Prishtinë. “Duke u bazuar në përkrahjen e madhe të elektoratit që e kemi në këtë qytet dhe në kandidatin për kryetar, z. Korab Sejdiu, është e natyrshme që Prishtinën në mandatin e ardhshëm do ta qeverisë AKR-ja”, ka deklaruar Pacolli.


Etiketa:

Bëni një koment