Pacolli: Prishtina e Tirana me seanca të përbashkëta qeveritare


E shtunë, 10 Gusht 2013

Prishtinë, 10 gusht – Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli thotë se Kosova duhet të realizojë seanca të përbashkëta qeveritare, për të nxitur impuls pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve me vendet fqinje, sidomos me Shqipërinë.

Ai mendon se hartimi i një strategjie zhvillimore do ta thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë, në interes të rritjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve të dy vendeve.

“A nuk na duhet një strategji zhvillimore afatgjatë, që të miratohet në mënyrë konsensuale dhe që të jetësohet nga të dijshmit? Kjo strategji duhet të përcaktojë prioritetet tona, aftësitë konkurruese dhe, mbi të gjitha, të jetë komplementare me atë të Shqipërisë. A po shikoni se ç’po ndodh në rajon? Qeveritë e Maqedonisë me atë të Serbisë dhe Bullgarisë po takohen dhe po ecin përpara në këtë drejtim. E pse ne mos të bëjmë të njëjtën gjë”, ka shtruar pyetjen Pacolli, transmeton Ina.

Ai pranon se ka bërë shumë aktivitete, ka hartuar shumë projekte, ka lëshuar shumë thirrje shoqërive dhe elitave tona politike, si qytetar, si ndërmarrës, si zëvendëskryeministër, si president, “por unë s’mund të bëj më shumë me këtë përfaqësim politik që kam në qeveri. Më duhet ndihma e qytetarëve, më duhet konsensusi ndërpartiak që të bëj më shumë”, ka shtuar Pacolli

Etiketa: , , ,