Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Para vitit 2030, India më e populluar se Kina

Prizren Post | 11:29 - 13.09.2015

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Kina, vendi që sot është më i populluari në botë me 1.4 miliard banorë, sipas të gjitha gjasave do të mbetet prapa Indisë (aktualisht me 1.3 miliard banorë) para vitit 2030, për shkak të një pjellorie më të lartë (mesatarisht 2,3 fëmijë për grua, për dallim nga 1,7), tregon një analizë që bëhet për çdo dy vjet nga Instituti francez i studimeve demografike (INED), i cili është publikuar këtë të mërkurë.

Sipas po këtij studimi, popullata botërore do të jetë rreth 10 miliardë banorë më 2050 për dallim nga 7,3 miliardë sa janë më 2015.

“Numri i banorëve është shumëzuar me shtatë gjatë dy shekujve të fundit dhe duhet të vazhdojë të rritet, derisa të arrijë, ndoshta, në 11 miliardë në fund të shekullit XXI”, thonë parashikimet e INED-it, i cili realizon hulumtimet e veta në të njëjtën kohë me ato të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të Bankës Botërore apo të instituteve të tjera të mëdha kombëtare, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Megjithatë, rritja demografike po shënon rënie të dukshme. Pas pikut prej më shumë se 2 për qind në vit para nja pesëdhjetë vitesh, ajo është zvogëluar përgjysmë që prej atëherë (1,2 për qind më 2015) dhe do të vazhdojë të bjerë deri në gati-stabilizimin e popullatës botërore në një shekull.

Kjo rënie është rezultat sidomos i zvogëlimit të pjellorisë: mesatarisht 2,5 fëmijë për grua sot në botë, për dallim nga dyfishi (5 fëmijë) më 1950.
Po ashtu, kjo rënie është rezultat edhe i dallimeve të mëdha sipas rajoneve dhe vendeve.
Pjelloria më e ulët është në Portugali dhe në Korenë e Jugut (me 1,2 fëmijë për grua), ndërsa më e larta është në shtetin afrikan Niger (7,6 fëmijë).

Çdo i treti banor i planetit jeton në Afrikë
Ndër rajonet ku mesatarja është më e lartë se tre fëmijë janë pothuajse e tërë Afrika, disa vende të Lindjes së Mesme, dhe rajonet nga Afganistani në veri të Indisë, duke kaluar nëpër Pakistan.

Është ky rajon ku do të jetë e përqendruar rritja demografike botërore në dekadat e ardhshme, tregon studimi i realizuar nga INED.

Po ashtu, do të ketë një “rritje shumë të madhe” të popullatës së Afrikës, e cila mund të katërfishohet deri në fund të shekullit, duke kaluar nga 1,2 miliard banorë sa ka aktualisht në 4,4 miliardë në vitin 2100, me gjithë dëmet që mund t’i shkaktojnë SIDA ose sëmundjet e tjera, thekson Instituti.

Aktualisht, çdo i gjashti banor i botës jeton në kontinentin afrikan. E brenda një shekulli sipas të gjitha gjasave do të jetë më shumë se çdo i treti.
Në jug të Saharasë, popullata mund të kalojë nga pak më shumë se 950 milionë banorë më 2015 në afro 4 miliardë më 2100.

Përgjysmohet vdekshmëria e fëmijëve
Vdekshmëria e fëmijëve është përgjysmuar gjatë një çerek shekulli, mirëpo vetëm në 62 vende nga 195 i kanë arritur objektivat e caktuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, tregojnë të dhënat më të reja të OKB-së.
“Vdekshmëria globale e fëmijëve nën pesë vjeç është zvogëluar për 53% në 25 vitet e fundit, mirëpo për shumë vende caku i caktuar në kuadër të objektivave të mijëvjeçarit nuk është arritur”, tregon studimi i publikuar në revistën mjekësore britanike “The Lancet”, përcjell “Zëri”.

Vdekshmëria e fëmijëve në shkallë planeti ka rënë nga 12,7 milionë më 1990 në 5,9 milionë më 2015, tregon një studim i realizuar nga anëtarë të OKB-së dhe agjenci të saj, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF.
“Progres i dukshëm është realizuar në nivel botëror për të përmirësuar mbijetesën e fëmijëve në këto 25 vitet e fundit”, komentojnë autorët e këtij punimi të koordinuar nga Danzhen You i UNICEF-it.

“Megjithatë, ende shumë fëmijë vazhdojnë të vdesin për shkaqe që mund të shmangen para se t’i mbushin pesë vjeç”.
Rreth 16.000 fëmijë më pak se pesë vjeç vdesin për çdo ditë. Dhe afër gjysma e tyre (45%) vdesin në 28 ditët e para të jetës.


Etiketa:

Bëni një koment