Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Para vizitës së Venizelos, PDIU-ja boton Rezolutën

Prizren Post | 15:20 - 13.10.2013

Tiranë, 13 tetor – Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet publikon dy ditë para vizitës së ministrit të Jashtëm të Greqisë, Evangelos Venizelos lajmin se është botuar në Fletoren Zyrtare rezoluta për zgjidhjen çame.

Në fakt, rezoluta daton të jetë botuar në këtë fletore para zgjedhjeve të 23 qershorit, respektivisht në datën 20 qershor të këtij viti. Ndërkohë që drejtuesit e PDIU-së kërkojnë ta sjellin sërish në vëmendje ekzistencën e kësaj rezolute, në prag të vizitës së Venizelos, në Tiranë. I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, zëdhënësi i PDIU-së, Ardit Bido nuk ka preferuar të japë as edhe një koment lidhur me arsyet e publikimit të këtij lajmi pikërisht 48 orë para vizitës së kryediplomatit grek, transmeton BW.

Çështja e rezolutës çame u diskutua gjatë në Parlament me debate, pasi maxhoranca e kaluar, ndryshe nga çfarë kërkonte opozita, nxori nga arkivat një rezolutë të para 9 vjetëve. Kështu, për çështjen çame tashmë ekziston një rezolutë e miratuar nga Kuvendi më 8 prill 2004, por që ka hyrë në fuqi në 20 qershor 2013. E për këtë rezolutë kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka dashur të njoftojë, por njëherësh t’u kujtojë anasjelltas qeveritarëve të sotëm shqiptarë, por edhe grekë se ekziston një dokument që kërkon zgjidhjen e çështjes çame. “Këto ditë është botuar në fletoren zyrtare, rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame”, thuhet në njoftimin e PDIU-së. “Në pranverë botimi i rezolutës në Kuvend u shoqërua me debate, për shkak se ky akt nuk ishte dërguar në fletoren zyrtare dhe ishte falsifikuar votimi në Parlament”, – thuhet në njoftim.

Ndërkaq, pritet që ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri grek, Evangelos Venizelos, të vizitojë Shqipërinë zyrtarisht të hënën në 14 tetor. Sipas njoftimit të Ministrisë greke të Punëve të Jashtme, zyrtari i lartë grek do të pritet nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, më pas do të ketë takime me kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin, Ilir Meta dhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Ai do të takojë edhe kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe atë të PBDNJ, Vangjel Dule. Venizelos do të vizitojë gjithashtu edhe selinë e Kishës Ortodokse, ku do të takojë Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos. Vizita e Venizelos në Shqipëri zhvillohet disa ditë para asaj të Presidentit grek, Karolos Papulias, i cili do të mbërrijë në Tiranë më 4 dhe 5 nëntor. Vizita bëhet edhe në kuadrin e Presidencës së BE-së, që Greqia do ta marrë në janar të vitit 2014. Sipas medias greke, në takime do të trajtohen çështje dypalëshe si procesi i ratifikimit të Marrëveshjes së Ujërave detare, e cila ka mbetur e “ngrirë”, çështja e përcaktimit të zonave ekonomike ekskluzive, bashkëpunimi për gazsjellësin TAP, por edhe çështjet e migracionit, si ajo e pasaportave të fëmijëve të emigrantëve shqiptare, ku emrat e toponimeve greke janë shkruar vetëm në gjuhën shqipe dhe prej muajsh të tërë po krijojnë probleme të mëdha për lëvizjen e lirë të familjeve shqiptare që jetojnë në Greqi.


Etiketa:
Arivisti Company