E enjte, 23 Prill 2026

Situata mes Uashingtonit dhe Teheranit mbetet tejet e tensionuar. Të dyja palët mbajnë po qëndrimet të forta e të kundërta midis tyre që e rrezikojnë stabilitetin global. Sipas raportimeve të fundit, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se nuk ka “asnjë afat kohor” për t’i dhënë fund luftës.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar një zgjatje të pacaktuar të armëpushimit aktual, por pa vendosur një datë të re skadimi. Siç raporton BBC, Trump është “i kënaqur” me bllokadën detare dhe vazhdon të këmbëngulë se SHBA-të e kanë situatën nën kontroll.
Nga ana tjetër, Irani ka bllokuar lëvizjen në Ngushticën strategjike të Hormuzit, një arterie jetike për tregtinë globale të naftës. Kryenegociatori iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, e konsideron rihapjen e saj si “të pamundur”, për shkak të asaj që ai i quan shkelje flagrante të armëpushimit nga SHBA dhe Izraeli.
BBC thekson se me Iranin të bindur se nuk do ta rihapë ngushticën, të dyja palët duket se kanë arritur në një ngërç. Megjithëse flitet për negociata që mund të nisin këtë të premte në Pakistan, mosbesimi mbetet i lartë pasi pikat kyçe të konfliktit nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët.
Wall Street: Fitime rekord në kurriz të paqes
Ndërkohë që Lindja e Mesme vlon, bursat në Nju Jork po shënojnë shifra rekord në mënyrë paradoksale. Ky fenomen, i cili duket i palogjikshëm për qytetarin e thjeshtë që përballet me rritjen e çmimit të naftës, shpjegohet me fitimet e larta që po realizojnë korporatat e mëdha.
Sipas Associated Press (AP), investitorët po shohin përtej konfliktit ushtarak për t’u fokusuar te bilancet kontabël. Për Wall Street-in, gjithçka përfundimisht kthehet në një pyetje themelore: Sa para po fitojnë kompanitë?
Deri më tani, fitimet e kompanive të indeksit S&P 500 janë rritur me rreth 14 për qind krahasuar me vitin e kaluar, pavarësisht gjendjes së luftës. Sipas AP, tregtarët në Wall Street po vënë bast përsëri për mundësinë që Rezerva Federale të rifillojë uljen e normave të interesit më vonë gjatë këtij viti.
Kjo tregon se interesi i tregut është i lidhur ngushtë me atë që quhet “ekonomi elastike”, ku lufta ekonomike përmes bllokadave, shihet si një mjet që mund të sjellë lëshime më shpejt se diplomacia tradicionale.
Por kritikët theksojnë se kjo rritje pasqyron një realitet cinik. Donald Trump, duke qenë vetë një miliarder dhe biznesmen, akuzohet shpesh se prioriteti kryesor ka pasurinë e familjes dhe rrethit të tij të afërt.
Bllokada detare, e cila i kushton Iranit rreth 500 milionë dollarë në ditë, po mbron indirekt interesat ekonomike amerikane duke mbajtur lart vlerën e aksioneve të kompanive të energjisë dhe teknologjisë.
AP nënvizon se tregu i aksioneve në SHBA i shpërbleu investitorët që qëndruan të duruar jo vetëm duke rikuperuar të gjitha humbjet, por edhe duke arritur nivele të reja, duke u mbyllur të mërkurën në një rekord prej 7.137.90 pikësh. Për aq kohë sa lufta prodhon fitime, paqja duket se do të mbetet në plan të dytë. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
