E diel, 5 Janar 2020
BAGDAT – Deputetët irakianë kanë miratuar një rezolutë që u kërkon trupave të huaj të largohen nga vendi pasi SHBA vrau gjeneralin e lartë iranian Qasem Soleimani në një sulm me dron në aeroportin e Bagdadit.
Siç shkruan BBC, përcjell Telegrafi, Parlamenti në Bagdad gjithashtu bëri thirrje që forcave të huaja tu ndalohet përdorimi i tokës, hapësirës ajrore ose ujit të Irakut – për ndonjë arsye.
Po sipas BBC, me këtë vendim mund të preken edhe rreth 5000 pjesëtarët e personelit ushtarak të SHBA-së në Irak, kryesisht si këshilltarë.
Vlerësohet se nga veprimi amerikan, Iraku e ka gjetur veten në një pozitë të vështirë si një aleat i Iranit fqinj dhe i SHBA-së.
Por qeveria e sheh vrasjen si një shkelje të sovranitetit të saj, dhe të kushteve të pranisë së koalicionit në Irak.
Ndërkohë, thuhet se mijëra irakianë morën pjesë në një procesion funerali për Soleimanin, përpara se trupi i tij të dërgohej në Iran.
Një shumëllojshmëri e grupeve të militantëve shiitë në Irak janë mbështetur nga Irani, dhe ka shqetësime se disa pjesë të popullsisë së Irakut simpatizuese ndaj Iranit janë të prekur nga vrasja dhe se grupet militante mund të kërkojnë hakmarrje.
Bëhet e ditur se Parlamenti i Irakut u mblodh ndërsa qindra mijëra njerëz dolën në Iran për të pritur trupin e Soleimani.
Rezoluta jo detyruese u miratua nga parlamenti irakianë të dielën pasi kryeministri i përkohshëm, Adel Abdul Mahdi, bëri thirrje për t’i dhënë fund prezencës ushtarake të huaj në një fjalim para deputetëve.
Etiketa: Amerika, Irak