PD çon në Kushtetuese heqjen e portretit të Presidentit


E premte, 20 Shtator 2013

Tiranë, 20 shtator – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, deklaroi në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, se opozita do të çojë në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Qeverisë për heqjen e portretit të Presidentit të Republikës nga ceremoniali zyrtar.

Ai tha se ky vendim i Qeverisë Rama është antikushtetues dhe i motivuar nga urrejtja politike.

Basha foli edhe për largimin e opozitës nga salla e Kuvendit, duke akuzuar Kryeministrin Rama se iu shmang llogaridhënies në parlament dhe se qëllimi i tij i vetëm ishte të provokonte opozitën me gjuhën e urrejtjes dhe përçarjes.

Basha tha se reagimi i opozitës ishte civil dhe proporcional, në kushtet kur nuk kishte alternativë tjetër për mbrojtjen e parimeve të demokracisë.

Kreu demokrat garantoi se opozita do të ofrojë bashkëpunimin e saj për të gjitha reformat që janë në interes të shqiptarëve dhe integrimit të vendit.

Basha tha po ashtu se ndryshe nga paraardhësi i tij në bashkinë e Tiranës, nuk do ta vendosë këtë institucion në funksion të axhendës së Partisë Demokratike dhe se nuk do ta përdorë pushtetin lokal për ta përplasur me institucionet e shtetit.

Kryetari i Partisë Demokratike foli edhe për zgjedhjet e pritshme në strukturat e degëve dhe procesin e analizës për rezultatet e 23 qershorit.

Ai tha se çdo anëtar i thjeshtë i kësaj force politike dhe figurat me kontribut në të do të vlerësohen në bazë të meritës, ndërsa u shpreh se statuti i Partisë Demokratike nuk ka pse të jetë i mbyllur për ndryshime.

Etiketa: , ,