Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

PE rezolutë ‘pro’ statusit kandidat për Shqipërinë

Prizren Post | 20:45 - 24.10.2013

Relatori për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, Nikola Vuljanic, paraqiti sot gjatë mbledhjes në Strasburg, një rezolutë në të cilën i bëhet thirrje Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Vuljaniç, gjatë raportit të prezantuar, ka vlerësuar klimën në të cilën janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në qershor të 2013-ës.

“Nënvizojmë se integrimi evropian duhet të jetë një përpjekje kombëtare dhe një projekt gjithë-përfshirje mes partive politike dhe shoqërisë civile”, – është shprehur raportuesi i Parlamentit Evropian.

Ndër të tjera, Vuljaniç ka bërë thirrje që të vijojë puna për sa i takon respektimit të shtetit të së drejtës, luftës ndaj korrupsionit e krimit të organizuar.

Ndërkohë është vlerësuar progresi i axhendës së reformave, e cila shpreh besim në potencialin e Shqipërisë dhe përkushtimin e saj për të ecur përpara drejt rrugës së saj evropiane.

Duke mbështetur propozimin e Komisionit Evropian rezoluta i bën “thirrje Këshillit të njohë përparimin e Shqipërisë duke i dhënë asaj statusin kandidat”.

Në raport kërkohet gjithashtu që të bëhen përpjekje të mëtejshme në forcimin e pavarësisë së institucioneve dhe efiçensës së sistemit gjyqësor. duke përfshirë këtu KLD-në, strukturat që lidhen me Të Drejtat e Njeriut si Avokati i Popullit dhe Komisioneri për mbrojtjen ndaj diskriminimit. Shekulli


Etiketa:
Arivisti Company