Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Peci tradhëtoi apo Thaçi tradhëtoi ?!…

Prizren Post | 21:22 - 19.06.2013

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një komunikate për shtyp, vlerëson se dorëheqja është akt personal i secilit individ, edhe i ish-ambasadorit Lulzim Peci.

“Ai është emëruar zyrtar ndërlidhës në Beograd si përfaqësues i Republikës së Kosovës me propozim të MPJ-së dhe kryeministrit Thaçi. Prandaj, është pritur që ai të kryejë detyrën që kërkohet me profesionalizëm, moral të lartë, përgjegjësi, dinjitet shtetëror dhe nacional, prezantim të plotë të qëndrimeve shtetërore dhe në rastin konkret guxim qytetar, që në momente të caktuara i kanë munguar”.

Sipas kumtesës, MPJ i ka kuptuar “lëshimet e tij për disa vite si ish-ambasador në Suedi, por veprimet e tij në raport me përfaqësimin në Serbi, kanë ndikim të madh në zhvillimin politik të raporteve në mes të dy shteteve, popujve tanë dhe më gjerë”.

“Qëndrimi i tij njëditor dhe kthimi i menjëhershëm në Prishtinë, adresimi në konferencë për media në gjuhën e vendit ku ka shkuar dhe jo vendit që përfaqëson, takimet e paautorizuara me përfaqësues të shtetit të Serbisë dhe pretendimi i tij për qëndrime politike personale, kanë tejkaluar kompetencat, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me sjelljen e tij e që lidhen me sigurinë shtetërore, të cilat ende nuk janë për opinion publik, nuk kanë paraqitur përfaqësuesin e denjë të Republikës së Kosovës. Z. Peci ka qenë i propozuar për shkarkim dhe këtë ai e ka pasur të qartë, andaj edhe dorëheqja është hap i paraprirë prej tij”.

Menjëherë pas daljes së lajmit se Lulzim Peci ka dhënë dorëheqje nga posti i Zyrtarit Ndërlidhës të Kosovës në Beograd, një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës ka treguar arsyet të vërteta të këtij akti të Pecit.

“Ambasadori Peci është kritikuar rreptë dhe është qortuar me masa paralajmëruese për shkarkim që pritej të ndodhte shpejt, për shkak të “takimeve të tij sekrete” me pjesëtarët e shërbimit të inteligjencës së Serbisë. Takime dhe biseda këto që bien ndesh me politikat dhe sigurinë shtetërore të Republikës së Kosovës”.


Etiketa:
Arivisti Company