Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Pengmarrja e kosovarit, 3 kuksianët shkojnë në gjykatë

Prizren Post | 09:23 - 16.05.2014

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka gati kërkesën për gjykim të pengmarrjes së kosovarit Flamur Curri për 6000 euro. Dosja hetimore me tre të pandehur i është dorëzuar Gjykatës së Krimeve të Rënda, në pritje për t`u caktuar data e seancës së parë gjyqësore.

Në bankën e të akuzuarve do të ulen Ardian Muja, Shkëlzen Duraku dhe Lumir Gashi, për ngjarjen e ndodhur më 25 shtator të 2013. Nga hetimet e organit të akuzës rezulton se tre shtetasit kanë marrë peng dy kosovarë, të cilëve i kishin premtuar dy pasaporta biometrike në këmbim të 10 mijë eurove. Ditën e takimit tre pengmarrësit, pasi janë futur në një rrugë dytësore, u kanë kërkuar dy kosovarëve që të zbrisnin nga automjeti. Kushëririt i është kërkuar 6000 euro duke mbajtur Flamur Currin peng. Kushëriri i tij L. Curri i është drejtuar policisë, ku ka denoncuar ngjarjen e ndodhur. Tre të pandehurit kanë theksuar faktin se në të vërtet Curri nuk është mbajtur peng, por ka qenë pjesë e tavolinës së tyre.

Dosja e prokurorisë

Në datën 26.09.2013 shtetasi L. Curri është paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Kukësit, ku ka kallëzuar se në date 25.09.2013, rreth orës 16:00, kushëriri i tij F. Curri është mbajtur peng nga të pandehurit Shkëlzen Gashi, Lumir Gashi dhe Ardjan Muja për të përfituar prej tij shumën 6000 euro. Nga provat e administruara rezulton se i dëmtuari F. Curri njihet me të pandehurin Shkëlzen Duraku, pasi kanë vuajtur dënimin në Burgun e Mitrovicës. F.Curri kishte biseduar më parë me Shkëlzenin, i cili i kishte premtuar se do t’i siguronte dy pasaporta biometrike shqiptare kundrejt vlerës 10.000 euro. Flamuri dhe L. Curri ishin të interesuar për pasaportat, pasi do t’i përdornin për të shkuar në Gjermani tek vëllai i L. Currit. Për këtë qëllim, në datën 25.09.2013 Flamur dhe L.Curri kanë kaluar me makinën e tyre Morinën, ku janë takuar me Shkëlzen Durakun dhe dy shokët e tij Lumir Gashin dhe Ardian Mujën. Të pandehurit ishin në makinën tip “Golf 4” me targë “AAxxxCD”.

Pasi janë takuar, kanë vazhduar rrugën me makinat e tyre në drejtim të fshatit Shtiqen, në afërsi të fushës së aviacionit. Pasi kanë futur makinën në një rrugë dytësore, të pandehurit kanë detyruar të zbresin nga makina Flamur dhe L. Currin dhe nën kërcënimin e armëve u kanë kërkuar një shumë prej 6000 eurosh. Për të siguruar paratë ata kanë detyruar L. Currin që të shkojë në Kosovë, ndërsa F. Currin e kanë mbajtur peng deri në dorëzimin e shumës së parave të kërkuar. Në këto kushte, L. Curri është nisur për në Kosovë, kurse të pandehurit e kanë çuar pengun në shtëpinë e shtetasit A. Cena, i afërm i Lumir Gashit. I pandehuri Lumir mbante një pistoletë të tipit “TT” dhe kur dilte nga dhoma pistoletën ia linte Shkëlzenit. Në këto kushte, pengu është ndier i kërcënuar dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’u larguar, për më tepër që ndodhej në një vend që ishte i panjohur për të.

Hetimet për dy pengmarrje

Në provat e administruar në dosje rezulton se të pandehurit kanë kryer të njëjtën vepër penale edhe më parë në dëm të shtetasve B. Abazi, A. Abazi dhe A. Gashi. Rezulton e provuar se në datën 11 shtator 2013 shtetasi B. Abazi banues në Prishtinë bashkë me shokun e tij A. Gashi dhe nipin A. Abazi janë takuar në Kukës me të pandehurit Shkëlzen Duraku, Ardian Muja, Lumir Gashi për të përfunduar bisedën që kishin bërë më parë për shitjen e dy makinave të blinduara. Të pandehurit i kanë kërcënuar me pistoletë dhe kallashnikovë për t’i detyruar të dorëzonin 30 mijë euro.

I pandehuri Lumir Gashi ka biseduar me A. Gashin dhe B. Abazin që të dorëzonin 10 mijë euro. B. Abazi dhe A. Gashi kanë kundërshtuar se nuk kishin para për të paguar, por Lumiri e ka goditur B. Abazin në fytyrë dhe një person tjetër me emrin “Dan” e ka goditur në kurriz me shkop bejzbolli. Të pandehurit u kanë lidhur duart A. Gashit dhe B. Abazit, kurse A. Abazin e kanë urdhëruar të shkonte në Kosovë dhe të siguronte 10 mijë euro, përndryshe B. Abazi dhe A. Gashit do t’i prisnin veshët dhe gishtat. Lumir Gashi e Ardian Muja kanë përcjellë me makinën e tyre A. Gashin dhe A. Abazin deri në Morinë, kurse B. Abazin me duar të lidhura e kanë futur në bagazhin e makinës së Ardian Mujës. Më pas të pandehurit Ardian Muja, Shkëlzen Duraku dhe Lumir Gashi bashkë me pengun B. Abazin janë nisur për tek një lokal pranë shtëpisë së Lumirit, ku kanë qëndruar derisa A. Gashi i ka telefonuar Lumirit dhe i ka thënë se kishte siguruar paratë. Më pas janë nisur në drejtim të Morinës, ku do të bëhej shkëmbimi. Edhe B. Abazi ka komunikuar në telefon me nipin e tij A. Abazi i cili i ka thënë se paratë po i sillte një shoku i tyre P. Isufi. Në autostradë janë takuar me P. Isufin, i cili ka zbritur nga makina dhe shumën 10 mijë euro ia ka dorëzuar të pandehurit Lumir Gashi./shekulli/


Etiketa:
Arivisti Company