E premte, 11 Mars 2016
Prishtinë – Dy partitë kryesore opozitare në Kosovë, “Vetëvendosja” dhe AAK-ja, kanë qëndrime të ndryshme sa i takon braktisjes ose jo të Kuvendit.
Partia e Haradinajt dhe ajo e Limajt kërkojnë të bojkotojnë Kuvendin, ndërkohë që kjo ide nuk përkrahet nga pjesa më e madhe e “Vetëvendosjes”.
Zyrtarë të kësaj partie kanë mohuar deklaratën e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, se paritë opozitare kanë vendosur që ta braktisin Kuvendin. Adonis Tahiri, zyrtar për informim në “Vetëvendosje” ka thënë për “Lajmi.net”, se nuk ka ndonjë qëndrim të përbashkët të partive opozitare për braktisje të Kuvendit.
“Ende nuk kemi vendim të përbashkët si opozitë e bashkuar për diçka të tillë. Janë diskutuar gjerë e gjatë mendime e qëndrime rreth asaj se si duhet vazhduar protestën tonë brenda institucioneve”, ka thënë Tahiri.
Ndërkohë kreu i AAK-së në një intervistë për “Epokën e re”, është shprehur se partitë opozitare nuk do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës. Ky veprim i partive opozitare, sipas Haradinajt, nuk nënkupton dorëzim të mandateve. “Nuk dorëzohen mandatet, por deputetët e opozitës nuk do të marrin pjesë në punimet e një Kuvendi, sepse e konsiderojnë jolegjitim”, është shprehur Haradinaj.
Etiketa: AAK, Kosovë, Kuvendi, Opozita, Vetëvendosje