Përhajër Fitër Bajrami Kosovë!


E diel, 25 Qershor 2017

Prishtinë – Qindra qytetarë të besimit musliman kanë marrë pjesë në ceremoninë e faljes së namazit të Fitër Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava ua ka uruar Fitër Bajramin të gjithë qytetarëve të besimit musliman.

Ternava ka kërkuar nga të gjithë që të largohen nga çdo punë e ligë dhe të shtrijnë dorën e pajtimit dhe bashkërisht të përkujdesën ndaj të varfërve.

Ai ka thënë se dashakeqët që duke përdorë strategjitë të ndryshme arritën të fusin në mesin tonë njerëz të cilët në fenë e pastër mbollën paqartësi e urrejtje në mes besimtarëve, duke shtrembëruar dhe keqinterpretuar pastërtinë islame me teza joreale.

“Çdo kush që tenton t’i shtrembërojë ato, duhet ta ngritim zërin dhe t’i themi se islami është i pastër. Edhe sot nga ky vend i shenjët i themi të gjithëve se një rrugë të vetme ka, e ajo është rruga e paqes dhe dashurisë. Askush nuk ka mundësi të bëjë dashurinë ndaj Allahut në ndonjë rrugë tjetër”, tha ai.

Tërnava ka apeluar te të gjithë përfaqësuesit politik që të lënë anash interesat personale e partiake dhe të angazhohen seriozisht në ruajtjen e unitetit veprues në të mirë të vendit e popullit, sepse para vetës kemi shumë sfida dhe punë.

Manifestimi i Fitër Bajramit ka filluar në ora 04:15, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit ishte ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga Ekrem Maqedonci.

Namazi i Fitër – Bajramit është falur në orën 05:37 dhe i ka prirë, Sabri Bajgora-kryeimami i BIK-ut. /kp/

Etiketa: , ,
Të fundit