Pesë pikat për dialogun me Serbinë të prezantuara nga Albin Kurti


E hënë, 23 Korrik 2018

Prishtinë – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një postimi në Facebook ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk ka pse flet për dialog të ri kur deputetët nuk e kanë diskutuar dialogun ‘e vjetër’.

Përveç kësaj, përcjell Telegrafi, Kurti ka thënë se në Kuvend të Kosovës nuk duhet të diskutohet për ecurinë e dialogut të ri dhe siguresat e tij, pa e marrë së pari qeveria barrën e provës së argumentimit pse na nevojitet ky dialog mu tash dhe çka është domethënia e tij.

Në këtë drejtim, siç ka shtuar Kurti, këtu duhet përfshirë edhe sqarimin e kuptimit të saktë të shprehjeve si “normalizim i plotë”, “normalizim”, “marrëveshje ligjërisht e obligueshme”, “kompromis i dhimbshëm” etj.

Përmes postimit në Facebook, Kurti ka përmendur edhe tri pika të tjera, të cilat sipas tij duhet të jenë në konsideratë kur bëhet fjalë për dialogun me Serbinë.

Postimi i plotë:

5 pika për dialogun në Kuvend

1. Kuvendi i Kosovës nuk ka pse flet për dialog të ri kur ne deputetët nuk e diskutuam dialogun ‘e vjetër’.
Nuk bën të vrapohet në dialog të ri me Serbinë pa shqyrtuar premisat, procesin, marrëveshjet, zbatimet si dhe rezultatet e dialogut 2011-2017. Aq më tepër që Qeveria e ka sjellur një material me 38 faqe mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. Ky material duhet diskutuar e shqyrtuar paraprakisht.

2. Në Kuvend të Kosovës nuk duhet të diskutohet për ecurinë e dialogut të ri dhe siguresat e tij, pa e marrë së pari qeveria barrën e provës së argumentimit pse na nevojitet ky dialog mu tash dhe çka është domethënia e tij. Këtu duhet përfshirë edhe sqarimin e kuptimit të saktë të shprehjeve si “normalizim i plotë”, “normalizim”, “marrëveshje ligjërisht e obligueshme”, “kompromis i dhimbshëm” etj.

3. Rendi i duhur i gjërave është që ne duhet t’i shtrojmë zyrtarisht kërkesa Serbisë, e pastaj ajo le të kërkojë dialog me neve. Serbia na ka aq shumë borxh, ne kemi se çka i kërkojmë asaj, apo jo? Prandaj, Kuvendi i Kosovës duhet që paraprakisht të diskutojë dhe miratojë kërkesat e Republikës së Kosovës ndaj Republikës së Serbisë.

4. Marrëveshja kryesore e Brukselit, ajo e 25 gushtit 2015, doli të jetë anti-kushtetuese. Secili prej shtatë kapitujve të ‘Zajednicës’ e ka shkelur Kushtetutën në gjithsej 23 nene! A nuk do të duhej të diskutojmë për përgjegjësinë politike, institucionale, morale etj. të akterëve? Ata zyrtarë e politikanë kosovarë që po insistojnë për këtë dialog të ri janë pak a shumë ata që e mbështetën ‘Zajednicën’.

5. Pa mandatin e Kuvendit të Republikës, presidenti aktual e nisi dialogun e ri me Serbinë. Shpërfilli karakterin e republikës sonë parlamentare dhe jo vetëm. Thaçi takoi Vuçiqin e Serbisë pak ditë pasi takoi Medvedevin e Rusisë me ç’rast deklaroi “Kryeministrin Medvedev shkurtimisht e informova për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon.” Presidenti nuk duhet të jetë informator. Kuvendi i Kosovës që mbledh përfaqësuesit e popullit duhet ta trajtojë aventurën personale të presidentit dhe të marrë qëndrim për veprimet e tij pa mandat dhe sjelljen e tij pa integritet.

Etiketa: , , ,
Të fundit