Petrovic: Vendet e rezervuara në interes të Kosovës


E martë, 29 Prill 2014

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petrovic, thotë se tema e themelimit të FAK-ut dhe vendet e rezervuara, janë dy tema për të cilat do të duhej të diskutonte më shumë Kuvendi si institucion.

Sa u përket vendeve të rezervuara, ai thotë se “është kërkesë e komuniteteve jo shumicë” dhe se është në interes të shoqërisë kosovare.

“Mendoj që këto dy tema janë shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, nuk janë hedhur në mënyrë të mirë në një shportë të themi dhe është pikëpyetje nëse do të jetë apo jo, por duhet të shikohet në aspektin pozitiv. Kur bëhet fjalë për vendet e rezervuara natyrisht është kërkesë e komuniteteve jo shumicë por është plotësisht e qartë dhe është në interes të shoqërisë kosovare”, tha Petrovic në një intervistë për RTK-në.

Ai ka folur edhe për temën e themelimit të FAK-ut, duke thënë se Kuvendi duhet t’i qartësojë më shumë temat e tilla.

“Pikërisht edhe tema e ushtrisë është diçka që ka rëndësi të madhe, që sa më shumë qytetarë para se gjithash të edukohen për këtë temë, nuk do të ishte serioze po qe se kësisoj do të bisedohej për këto çështje kaq të rëndësishme. Mendoj se në Parlament duhet të diskutohet, jemi dëshmitarë që më shumë diskutohet në media se sa aty ku do të duhej. Ne si parti që tash e tetë vjet jemi në institucione e kemi treguar angazhimin tonë, angazhohemi për të gjithë qytetarët e Kosovës pa marrë parasysh cilës parti i përkasin”, tha Petrovic. /Telegrafi/