Policët e antiterrorizmit kërkojnë kushte më të mira


E diel, 29 Maj 2016

policia antiterror

Prishtinë – Kryeministri dhe ministri i Brendshëm, vazhdimisht luftën kundër terrorizmit e kanë paraqitur si prioritet të qeverisë.

Madje Kosova është lavdëruar se ka një strategji të mirë anti-terror. Por përveç strategjisë në letër, në terren situata është pak më ndryshe, raporton KTV.

Shembull, për njësitin anti-terror në kuadër të Policisë së Kosovës nuk është ndarë ndonjë buxhet shtesë, apo infrastrukturë shtesë për të luftuar këtë dukuri.

Pjesëtarët e Drejtorisë kundër terrorizmit nuk kanë privilegje apo kushte më specifike në punë sesa policët e tjerë.

Në kushte anonimiteti, pjesëtarë të Drejtorisë kundër terrorizmit janë ankuar për mungesë të infrastrukturës në punë, qoftë vetura, pajisje të sofistikuara apo edhe sigurime më të larta.

Në Sindikatën e Policisë, megjithatë thonë se policët e kësaj drejtorie i kanë kushtet e domosdoshme për punë.

Ndërkaq në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë thonë se duhet të bëhet edhe më shumë për Policinë e Kosovës.

Kurse zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka thënë se Policia e Kosovës ka kapacitetet e mjaftueshme për realizimin e objektivave kryesore të saj.