“Popujt e Ballkanit dëshirojnë ‘Po’ për referendumin në Turqi”


E shtunë, 15 Prill 2017

Shkup – Kryetari i Degës për Ballkanin i Shoqatës Turke të Industrialistëve dhe Afaristëve të Pavarur (MÜSİAD), Bilal Kara, tha se popujt e Ballkanit, qofshin shtetas të Turqisë ose jo, kërkojnë që referendumi për ndryshime kushtetuese në Turqi të përfundojë në favor të ndryshimeve dhe se ata nga brendësia e dëshirojnë këtë gjë.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Kara u shpreh se Ballkani është vend shumë i rëndësishëm për Turqinë dhe shtoi se Turqia ka marrëdhënie shumë serioze politike dhe ekonomike me shtetet e rajonit.

Ai tha se referendumi për ndryshime kushtetuese në Turqi që do të mbahet më 16 prill ka rëndësi të madhe edhe për Ballkanin, duke shtuar se Turqia tanimë bën pjesë në mesin e aktorëve më të rëndësishëm në Ballkan, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.

Sipas tij, Turqia, me ekonominë e saj në rritje, ka filluar ta bëj mjaft të ndjeshme praninë e saj në këtë rajon. Ai tha se si MÜSİAD besojnë se ky proces i referendumit është shumë i rëndësishëm.

Kara nënvizoi se ndryshimet kushtetuese janë esenciale për Turqinë që po rritet dhe zhvillohet. Ai është i mendimit se në shekullin XXI Turqia nuk mund të qeveriset brenda, siç thotë ai, dyerve të ngushta të kushtetutës aktuale.

Në këtë drejtim, Kara tha se kanë realizuar shumë punime në Ballkan.

“Popujt e Ballkanit, qofshin shtetas të Turqisë ose jo, kërkojnë që referendumi në Turqi të përfundojë në favor të ndryshimeve dhe ata nga brendësia e dëshirojnë këtë gjë. Sepse besojnë se stabiliteti politik dhe ekonomik i Turqisë patjetër sjell stabilitet politik dhe ekonomik edhe në shtetet e Ballkanit. Çdo problem apo mjedis kaosi që mund të ndodhë në Turqi, patjetër që ndikon edhe në Ballkan. Besojmë që lidhjet emocionale me Ballkanin që vazhdojnë me shekuj do të forcohen dhe do të bëhen edhe më të shëndosha me realizimin e ndryshimeve kushtetuese pas referendumit”, vlerëson Kara.

FETO kërcënon afaristët

Kara, duke folur edhe për strukturën e Organizatës Terroriste FETO në Ballkan, thotë se strukturimi i FETO-s në Ballkan daton 15-20 vite më parë, duke shtuar se pjesëtarët e FETO-s, bënë investime serioze në këto shtete në fushën e arsimit.

Ai thekson se organizata investimet i ka bërë në degë të tjera të ekonomisë dhe si rezultat i tyre, siç thotë ai, është shndërruar në forcë ekonomike dhe politike në këto shtete. Në këtë drejtim, Kara thtotë se aktivitetet e MÜSİAD-it në Ballkan kanë rëndësi jetike dhe strategjike, duke shtuar se aktivitetet e tyre do të jenë në disfavor të FETO-s dhe për këtë arsye ata do të krijojnë reagime.

Kara tregon se kanë filluar ta ndiejnë këtë reagim. “Na informuan se në disa shtete, afaristët kanë hezituar të bëhen anëtarë të MÜSİAD-it dhe se ata janë kërcënuar nga FETO. Shoqëritë misionare si FETO, me vite kanë eksploatuar afaristët në aspektin ekonomik dhe i kanë trajtuar si skllevër. Këtë e pamë kur filluam me aktivitetet e MÜSİAD-it në Ballkan”, u shpreh ai.

Duke theksuar se afaristët e rajonit dëshirojnë të bëhen anëtarë të MÜSİAD-it, porse FETO dhe shoqëritë e tjera misionare si FETO i kërcënojnë për të mos u larguar nga hegjemonia e tyre, Kara tha se ata vendosin sanksione ndaj tyre dhe përpiqen ti mbajnë larg çatisë së MÜSİAD-it.

Siç thotë Kara, FETO është shndërruar në fuqi shumë strategjike në shtete të caktuara në Ballkan dhe se në këto shtete posedon forcë burokratike dhe ekonomike. Ai tha se strukturat e FETO-s në këto vende kanë vazhduar praninë edhe krahas paralajmërimeve nga Turqia.

Duke theksuar se mbi MÜSİAD-in bie detyrë e rëndësishme në luftën kundër FETO-s në aspektin ekonomik, Kara konsideron se rritja e aktiviteteve të MÜSİAD-it në Ballkan ka rëndësi të madhe për krijimin e një porti të sigurtë zbarkues për afaristët që kanë hyrë në hegjemoninë e FETO-s dhe tani dëshirojnë të dalin nga aty.

Kara nënvizon se detyrë e MÜSİAD-it është, siç thotë ai, t’i shpëtojnë nga kthetrat e organizatës terroriste këta afaristë dhe se do të përpiqen të jenë alternativë për afaristët.

Në aspektin gjeografik, Maqedonia gjendet në zemër të Ballkanit

Kara theksoi se kryeqytetin e Maqedonisë, Shkupin, e kanë zgjedhur si qendër strategjike në Ballkan e MÜSİAD-it. Siç tha ai, arsyeja prapa kësaj zgjedhjeje është se Maqedonia ka pozitë strategjikë me të cilën mund të zë vendin në zemrën e Ballkanit.

Duke u shprehur se kanë arritur që në vend të sigurojnë që një afarist të ofrojë shërbime edhe në vende të tjera me komoditet, Kara thotë se “Nëse nuk marrim parasysh krizën me emrin që Maqedonia ka me Greqinë, nga një aspekt tjetër, Maqedonia është shtet që nuk ka probleme serioze me shtetet e tjera fqinje. Në të jetojnë së bashku shumë grupe etnike. Në Maqedoni jetojnë maqedonas, shqiptarë, turq, boshnjakë. Në këtë drejtim, Maqedoninë mund ta shohim si një ilustrim të vogël të Ballkanit.”

Ndërkaq, duke folur për krizën politike në Maqedoni, Kara vë në dukje se nuk bëhet fjalë që efektet e krizave politike të mos reflektohen në ekonomi.

“Aktualisht, ekonomia në Maqedoni ndikohet seriozisht nga kriza politike aktuale. Sado që qeveria aktuale teknike të ndërmerr hapa që jeta tregtare të mos ndikohet nga kriza, popullata gjendet në njëfarë hezitimi ekonomik për shkak të paqartësisë aktuale politike. Dëshira jonë si përfaqësues të jetës afariste natyrisht është që në Maqedoni sa më parë të formohet qeveri afatgjate dhe jetëgjate, dhe që sa më parë të zbatohen reforma ekonomike për të cilat Maqedonia aktualisht ka nevojë. Maqedonia është shtet shumë i rëndësishëm për Ballkanin. Stabiliteti politik në Maqedoni, do të ndikojë në mënyrë indirekte edhe në shtetet e tjera në këtë rajon”, tha Kara, duke shtuar se dëshira dhe kërkesa e tyre më e rëndësishme për momentin është që në Maqedoni së shpejti të mbizotërojë sërish stabiliteti politik dhe rrjedhimisht edhe stabiliteti ekonomik.

Kara njoftoi se janë duke i vazhduar punimet që anëtarët e MÜSİAD Ballkan të mos ndikohen nga kriza. Sipas tij, kriza në fjalë mund të jetë mundësi për shumë investitorë turq.

Duke folur për punimet e MÜSİAD-it edhe në Shqipëri dhe Kosovë, Kara tha se javët e kaluara kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Shqipëri dhe Odën Ekonomike të Kosovës.

Ai njoftoi se në panelin që do ta organizojnë në Stamboll për investimet në Ballkan do të ftojnë edhe krerët e këtyre dy institucioneve, kështu që, sipas tij, do të ofrohet mundësia që anëtarëve të MÜSİAD-it t’u shpjegohet për mundësitë e investimit në Kosovë dhe Shqipëri.

Etiketa: , , ,