E premte, 23 Maj 2014
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson, ka theksuar se pavarësisht koalicioneve pas-zgjedhore, posti i presidentes së Kosovës është i sanksionuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe si i tillë është i paprekshëm deri në vitin 2016.
Jacobson ka konfirmuar se Departamenti i Shtetit ka parë rezultate të prekshme në veri të Kosovës, si rezultat i dialogut të zhvilluar në Bruksel.
Ajo ka vlerësuar si rezultat pjesëmarrjen e etnisë serbe në zgjedhjet që u organizuan në veri, sipas ligjeve të Kosovës, duke thënë se tashme është krijuar një situatë më stabile e sigurisë.
Ambasadorja Jacobson ka thënë se SHBA-të vazhdojnë të përkrahin dialogun në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht formatit për të cilin kanë për t’u përcaktuar palët e përfshira.
Ambasadorja amerikane ka përsëritur se është më shumë rëndësi që në fokus të jetë sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.
Jacobson ka ftuar qytetarët e Kosovës të dalin sa më shumë në zgjedhje, duke bërë të qartë se pret zgjedhje të lira dhe fer. (Rrokum TV)