Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Presidenti Thaçi: Adem Demaçi shqiptari më emblematik që prej epokës të Skënderbeut

Prizren Post | 10:05 - 28.07.2018

Prishtinë – “Kosova qe dy ditë është në zi, bota shqiptare në pikëllim. Sot më 28 korrik kombi shqiptar po ndahet fizikisht nga Adem Demaçi, një kolos që u vetë-mohua tërë jetën për qëllimin madhor: lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin kombëtar. Bota pa ndahet nga Mandela i Europës. Adem Demaçi me tërë qenien e tij fizike, mendore, intelektuale dhe morale jetoi për një qëllim: pavarësinë e Kosovës, çlirimin nga Serbia dhe bashkimin kombëtar. Ai i flijoi 28 vjet në burgjet jugosllave, pa u thyer dhe mposhtur”.

“Adem Demaçi ishte dhe do të mbetet ndërgjegjja jonë kombëtare, simbol i qëndresës dhe humanizmit, i burgosuri shqiptar numër një në Jugosllavi dhe i burgosuri politik numër një në Europë. Adem Demaçi ideal e kishte bashkimin e shqiptarëve. Ai mbështetej mbi idenë që hapi i parë i çlirimit duhet të merret nga vetvetja. Ai ishte lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me qëndresën e tij ai u bë simbol i lirisë filozofike, kombëtare dhe intelektuale. Shpirti dhe ideali i tij ishte më i fortë se burgu”.

“Përkundër burgut të gjatë ai mbeti njeri i madh dhe fisnik. Jemi të lumtur dhe krenarë që jetuam në epokën e tij. Jemi krenarë që Kosova i dha njerëzimit një humanist të madh si Adem Demaçi. Ai ishte njeriu më anti-komformist që ka prodhuar kultura dhe historia jonë. Ishte i madh edhe kur fliste. Ishte i madh edhe kur qortonte. Ai kishte fituar imunitetin e pavdekësisë, ndaj nuk u largua nga Prishtina edhe kur krimet e autoriteteve jugosllave ishin në kulm. I burgosur fizikisht, shpirtërisht i lirë. Me sakrificën dhe përkushtimin e ridefinoi dashurinë për atdheun. Ai e lartësoi idealin e lirisë në pikën e paarritshme për këdo që vjen pas tij. Sot i themi lamtumirë njeriut më emblematik prej periudhës të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”.


Etiketa:
Arivisti Company