Preteni: S’ka më nga dy poste publike


E shtunë, 4 Janar 2014

Prishtinë, 4 janar – Në kohën kur Kuvendi i Kosovës po i bën hapat e fundit për të shqyrtuar Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) rishfaqin kërkesën e tyre, që zyrtarëve të lartë të mos u lejohet që të mbajnë më shumë se një post publik.

Brenga kryesore e AKK-së është fakti që shumë zyrtarë të lartë shtetërorë vazhdojnë të jenë profesorë universitarë, prandaj angazhimi i tyre në dy ose më shumë vende të punës po u shpërndanë përgjegjësinë.

Kryetari i Agjencisë Kundër-Korrupsion, Hasan Preteni ka deklaruar se një traditë e tillë duhet të ndërpritet pasi që kjo ka qenë edhe njëra ndër vërejtjet kryesore ne Raportin e Progresit.

Preteni ka deklaruar se AKK-ja i ka dhënë vërejtjet e saj dhe se tani pret që këto vërejtje të merren parasysh nga ana e Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës si dhe nga ana e deputetëve gjatë votimit.

“Tani është në komision, ne vërejtjet i kemi dhënë, tani po presim se si komisioni do ta derivojë në Kuvend.

Jemi insistues, mendojmë që duhet sepse ky problem është shpreh edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, ku është thënë se me shumë se 800 (tetëqind) zyrtarë të lartë kanë më shumë se dy vende. Tani është shans i mirë që këto vërejtje të evitohen përmes këtij ligji”, ka thënë Preteni, raporton Zëri.

Ai ka shtuar se vërejtja kryesore ka të bëjë me punësimin e zyrtarëve të lartë në arsimin privat.

“Si do të shkojë çështja në Kuvendi nuk e di. Ne kemi insistuar që zyrtarët e lartë të mos lejohen të punojnë në arsimin e lartë, në veçanti jo në sektorin privat dhe kërkesë tjetër ka qenë harmonizimi i Ligjit për deklarimin e pasurisë me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit”, ka përfunduar Preteni.

Etiketa: ,