Prishtina shkon në finale të Ligës Ballkanike


E mërkurë, 8 Prill 2015

Edhe përkundër humbjes prej 86-80 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale kundër Kozuvit, Sigal Prishtina është kualifikuar në finale të Ligës Ballkanike për shkak të epërsisë së lartë prej 24 pikëve që kishte krijuar në ndeshjen e parë.

Skuadra e Kozuvit e nisi ndeshjen me një entuziazëm të lartë për të realizuar ndonjë përmbysje historike të rezultatit, mirëpo u zhgënjyen kur e panë se Sigal Prishtina është e gatshme të vdesë në parket për ta siguruar kualifikimin në finale të Ligës Ballkanike.

Ishin pikët e Dardan Berishës dhe Edin Bavcicit, që bombarduan maqedonasit me trepikësha (7 prej 16) në pjesën e parë, që i ndihmuan Bardhekaltërve të mbyllin pjesën e parë me vetëm dy pikë disavantazh 47-45.

Trajneri i prishtinasve, Marjan Ilievski, u tregua tejet i mençur edhe në pjesën e dytë, ku e organizoi shumë mirë skuadrën e tij që të mos lejonin ndonjë befasi nga kundërshtarët. Bardhekaltërit luftuan sypatrembur deri në fund të ndeshjes dhe kështu siguruan kualifikimin e shumëpritur në finale të Ligës Ballkanike.

Më të mirët e këtij takimi ishin padyshim Dardan Berisha me 22 pikë, si dhe Edin Bavcic me 20 sosh.

Në finale Sigal Prishtina do të ndeshet me Rilskin e Bullgarisë, që e mposhti Pejën të martën në palestrën Karagaçi. /Telegrafi/

Etiketa: , ,