Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Profesorët e UP-së nuk kanë asnjë arsye për grevë

Prizren Post | 15:26 - 23.01.2019

PRISHTINË – Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se profesorët e Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve tjera publike ‘të formuara gjatë fushatave elektorale’ nuk kanë asnjë arsye të vetme për grevë, si reagim i skajshëm i pakënaqësisë sepse krahasuar me universitetet publike të rajonit, të ardhurat i kanë shumë të larta kurse përgjegjësinë e kanë minimale.

“Përveç se mungojnë në ligjërata dhe se si suflerë i dërgojnë asistentët e tyre, tipari kryesor dallues i shumicës së tyre është flirtimi dhe bashkëjetesa me strukturat politike të pushtetit, pavarësisht se cila apo cilat parti janë në pushtet. ‘Nobelistët’ e Universitetit të Prishtinës, jo rrallë herë kanë qenë supermen të vërtetë duke punuar në deri shtatë (7) vende pune!”, thotë KMDLNJ përmes një reagimi për media.

Duke kritikuar cilësinë e arsimit në UP, KMDLNJ ka theksuar se “Nepotizmi është mënyrë e të punuarit dhe standard moral dhe profesional në Universitetin e Prishtinës sikur edhe plagjiatura e punimeve, shkencore që është dëshmuar në shumë raste por se kanl mbetur kryesisht të pandëshkuara”.

Ky këshill thotë se i janë drejtuar prindërit që për shkak të grevës në çerdhet publike janë detyruar t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhet private dhe për këtë detyrohen të paguajnë mjete shtesë për faktin se ose duhet të paguajnë, ose duhet të mos shkojnë në punë.

“Për këtë arsye KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon të mos paguajnë për shërbime që nuk u ofrohen, përkatësisht të mos paguajnë për çerdhe publike për aq kohë sa atë refuzojnë të ofrojnë shërbime. Dhe nëse çerdhet kërkojnë kompensim për shërbimet që nuk i kanë ofruar dhe për këtë përdorin kërcënimin se do t’i largojnë këta fëmijë nga çerdhja, prindërit duhet të bëjnë padi te organet përkatëse”, bën thirrje KMDLNJ.

KMDLNj kërkon gjithashtu nga prindërit që të këmbëngulin që fëmijët e tyre t’i vijojnë mësimet duke i dërguar në shkolla dhe duke qëndruar me ta sikur që kërkon nga studentët e Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve tjera publike ‘të formuara gjatë fushatave elektorale të protestojnë para rektoratit duke kërkuar përgjegjësi për ata që me aq lehtësi dhe pa asnjë arsye të mirëqenë ua humbën afatin e janarit duke i vënë në pikëpyetje edhe afatet tjera’, njofton Kosovapress.


Etiketa:
Arivisti Company