Propozimi i BE-së, mundësi për popullin e Kosovës dhe atë të Serbisë


E hënë, 27 Shkurt 2023

WASHINGTON – Departamenti amerikan i Shtetit, i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Duke cituar bllokun evropian, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se pranimi i kësaj marrëveshjeje do të përshpejtonte rrugën e të dyja shteteve në BE.

“Pranimi i kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë në avancimin e qëllimeve tona kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshirë arritjen e paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit në rajon”.

Këshilltari i lartë i këtij departamenti, Derek Chollet, ka thënë një ditë më parë se Shtetet e Bashkuara presin përparim të dukshëm në takimin që do të zhvillohet të hënën në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Alekesandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel.

Ai i ka bërë këto deklarata pas një bisede telefonike që ka zhvilluar me Vuçiqin.

Dy ditë më parë, Chollet ka biseduar edhe me Kurtin për rëndësinë e takimit të 27 shkurtit.

Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.

Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.

Etiketa: , , ,