PS ironizon demokratët: Në protestë krah prodhuesve të drogës


E martë, 20 Maj 2014

Partia Socialiste ka ironizuar sërish protestën e thirrur nga demokratët. Gjatë një deklarate për shtyp deputetja e PS-së, Vasilika Hysi u bëri dje thirrje qytetarëve të dalin në protestë sepse kjo sipas saj, është mundësia për të protestuar krah për krah me ata që ndërtuan bastionin e drogës në Lazarat, që i kthyen trafiqet e kontrabandën nga aktivitete kriminale në një industri që zhvillohej me bekimin e qeverisë.

“Dilni në protestë sepse ky është rasti i vetëm për të protestuar krah për krah me prodhuesit e drogës dhe ata që e kthyen policinë në shërbim të trafikantëve të drogës dhe që sot janë të dëshpëruar se kthimi i Policisë së Shtetit në krye të detyrës po ju mbyll rrugët e trafikut e po ju hap dyert e ndëshkimit nga drejtësia”, – deklaroi Hysi. Sipas saj qytetarët duhet të dalin në protestë, sepse vjen rrallë shansi për të protestuar kundër drogës e trafiqeve bashkë me ata që mbushën xhepat me trafikun e drogës, kontrabandën e naftës e cigareve, dhe që sot nuk gjejnë më një të afërm të një qeveritari një ish-badigard drejtues policie që t’u hapë dyert e rrugët siç ka ndodhur për 8 vjet me radhë.

“Dilni të premten në protestë për të mbështetur ata që morën 26 jetë në Gërdec e që pushkatuan qytetarë të pafajshëm në 21 Janar për pushtet dhe para, por që sot ka filluar t’u rrëshqasë toka ndër këmbë sepse e dinë që drejtësia mund të vonojë, por nuk ka për t’i harruar kurrë. Dilni në protestë që të mos ndihen të braktisur punonjësit e Bashkisë Tiranë dhe pastrim gjelbërimit që i ka zënë taksirati e duhet të dalin shesheve për hesap të atyre që shkatërruan shtetin e policinë për 8 vjet”, – shtoi ajo e ndërsa ka pohuar se statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është shumë pranë pavarësisht çoroditjes së opozitës. “Statusi kandidat është tashmë më afër se kurrë, Evropa na mbështet sot më shumë se kurrë. Por kemi një opozitë më të çoroditur e të dëshpëruar se kurrë që krimin dhe korrupsionin i sheh si aleatët e saj të vetëm në luftën përballë shtetit e ligjit. Të dashur miq ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin e kësaj vale tërbimi që e ka kapur opozitën. Shpifja e balta kanë qenë e mbeten motoja e tyre. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është dhe do të mbetet motoja e gjithsecilit prej nesh”, – ka përfunduar Hysi./shekulli/

Etiketa: ,
Të fundit