Pse po vonon nisja e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së?


E premte, 29 Korrik 2022

PRISHTINË – Vonesat nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë (ZPS) sa i përket nxjerrjes së materialeve shfajësuese, por edhe redaktimet e shumta në aktakuzë dhe dëshmitë e dëshmitarëve, janë duke i penguar hetimet e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë Gregory Kehoe, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi, si ish-udhëheqës i UÇK-së, bashkë me ish-eprorët e tjerë: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë qysh në nëntor të vitit 2020.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa datë për nisjen e gjykimit të tyre nuk ka.

Kehoe thotë se procesi i nxjerrjes së materialeve shfajësuese, për të cilin mbrojtja disa herë ka kërkuar që të përshpejtohet, është përmirësuar.

Nxjerrja e këtyre materialeve parashihet në Rregulloren e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara.

Këto materiale që Prokuroria ia jep mbrojtjes gjatë procesit të nxjerrjes së provave, sugjerojnë pafajësinë apo lehtësojnë fajësinë e të akuzuarve. Këto lloje provash, po ashtu, ndikojnë në besueshmërinë e dëshmive që posedon ZPS-ja.

Kehoe thekson se vonesat e nxjerrjes së materialeve shfajësuese kanë ndikuar në vendimet e gjykatës për moslirimin e të akuzuarve nga paraburgimi.

Sipas tij, mbrojtja, përmes procesit të nxjerrjes së materialeve të ZPS-së, së fundmi, ka pranuar dëshmi shfajësuese, që do të kishin mundur të ndikonin në vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake për lirimin nga paraburgimi të të akuzuarve gjatë procedurës para-gjyqësore.

“Pyetja që kam ngritur para gjykatësit në konferencat statusore, ka qenë: A do të kishe dashur t’i shihje këto dëshmi të dëshmitarëve apo të kishe dijeni për këto informacione, kur merrje vendim për moslirimin nga paraburgimi? Patjetër që po, ky do të ishte reagimi i pritshëm. Pra, a jemi dëmtuar nga kjo? Patjetër që po”, thotë Kehoe.

Avokati Kehoe thotë se, në bazë të procedurave të Dhomave të Specializuara – që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale – materialet shfajësuese duhet të nxirren menjëherë nga ZPS-ja dhe t’i ofrohen mbrojtjes, por kështu nuk mendon Nevenka Tromp.

Tromp, e cila për më shumë se një dekadë ka qenë hulumtuese në Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së duhet ta përqendrojë të gjithë energjinë që gjykimi të nisë sa më shpejt, pasi, sipas saj, materialet shfajësuese mund të nxirren nga Prokuroria edhe gjatë gjykimit.

“Nuk mendoj se është realiste dhe e imagjinueshme që në një mega-projekt, Prokuroria mund t’i dorëzojë të gjitha materialet shfajësuese, posaçërisht para se të nisë gjykimi. Mbrojtja duhet të marrë parasysh se një sasi e madhe [e materialeve] që Prokuroria ka mbledhur, do t’i jepet gjatë gjykimit”, thotë Tromp.

Etiketa: , ,