Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Qeveria e Kosovës vendosi taksë 100% për prodhimet e Serbisë

Prizren Post | 18:55 - 21.11.2018

PRISHTINË – Qeveria e Kosovës ka marr të mërkurën vendim që të vendosen masa mbrojtëse prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Propozimin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, për të vendosur taksë prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja e Hercegovina, e ka miratuar kabineti qeveritar.

“Nga sot t’i vendoset masa prej 100 për qind produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja”, tha Shala.

Ai po ashtu ka kërkuar edhe largimin e të gjitha produkteve në të cilat shkruan ‘Kosova e Metohija’.

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se e përkrahë këtë propozim për vendosjen e këtyre masave.

“Një kohë të gjatë Kosova është penguar, është penguar në transport, në analiza. CEFTA nuk ka fuksionuar në mes Kosovës dhe Serbisë. Unë e përkrahi propozimin e juaj”, tha ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, kishte vendosur taksë prej 10 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, e cila kishte pasur efekte në rritjen e të hyrave për buxhetin e shtetit .


Etiketa:
Arivisti Company