Qeveria nga ky muaj ndan 50 euro për punëtorët e sektorit publik


E enjte, 8 Shtator 2022

PRISHTINE – Kryeministri i vendit, Albin Kurti bëri të ditur se duke filluar nga ky muaj për zyrtarët publikë do të ndajnë shtesën prej 50 euro, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 euro.

Ai njoftoi se për pensionistët do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 euro (në tetor), ndërkaq familjet në asistencë sociale do t’i mbështesin duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.

Kryeministri përmendi edhe sektorin privat duke thënë se 80 për qind janë të punësuar në këtë sektor, e që është prekur më së shumti nga inflacioni.

“Do të mbështesim secilin biznes që i rritë pagat e punëtorëve. Duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë”, bëri të ditur Kurti.

Ai tha se përkrahje do të ketë edhe për studentët, ku do të ndahet shuma e njëhershme prej 100 euro në nëntor kur viti akademik është duke u zhvilluar.

Ndërkaq, ministri Hekuran Murati tha se subvencionimi i faturave të energjisë, shtesat në sektorin publikë, ndihma e familjeve në asistencë sociale do të fillojnë këtë muaj, ndërsa procedimi i mjeteve për pensionistët do të bëhet në muajin tetor.

Etiketa: , , ,

Leave a Reply