Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Qosja: Demarkacioni me Malin e Zi cenon Kosovën dhe është kufi i konfliktit

Prizren Post | 09:38 - 29.08.2016

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Prishtinë – Akademik Rexhep Qosja është deklaruar në lidhje me demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Qosja ka konsideruar se kjo marrëveshje e vijës kufitare, mund të quhet kufi i konfliktit.
Sipas tij, me këtë marrëveshje ky kufi është jonatyror, është kufi që cenon kushtet jetësore të popullsisë shqiptare si popullsi e vetme e Rugovës, dhe për këtë arsye kufiri i ricaktuar me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi edhe mund të quhet kufi i konfliktit.

“Dhe mund të quhet kështu pikërisht sepse është kufi jonatyror, sepse është kufi i vënë në brendinë gjeografike natyrore të Kosovës, nën vijën bjeshkore Kullë – Çakorr – Qafë e Diellit – Kufi i Shqipërisë, sepse është kufi që cenon kushtet jetësore të popullsisë shqiptare si popullsi e vetme e Rugovës!”, shprehet Qosja, në një shkrim autorial në gazetën Epoka e Re.

Ai shton se “ata që kanë menduar për paqe e jo për konflikte midis popujve dhe shteteve, është thënë edhe para meje prej ndonjërit nga ata që nuk pajtohen me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, ata gjithmonë janë kujdesur që kufijtë midis tyre të jenë kufij gjeografikë natyrorë, kufij të majave të bjeshkëve, kufij të lumenjve, kufij të luginave”.

Akademiku vlerëson se Marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi e mohoi këtë përvojë shumëshekullore të zbatuar në Evropë e më gjerë, këtë përvojë shumë të çmuar që sipas tij, është shkelur zakonisht vetëm prej shteteve pushtuese dhe prej shërbëtorëve të tyre nga radhët e të pushtuarve.

“Mund të thuhet, më tej, se me këtë Marrëveshje Kosovës, përpos pasigurisë, do t’i sillen dëme të mëdha edhe ekonomike: do t’i tjetërsohen pyje me rëndësi të jashtëzakonshme, e para, për shkak të bimësisë, në këtë kohë të rrezikimit të bimësisë në përpjesëtime botërore, shumë të çmuar dhe, e dyta, për shkak të pyjeve të shumta me vlerë të madhe për industrinë e drurit”.

“Mund të thuhet kështu sepse me këtë Marrëveshje do t’i tjetërsohen Kosovës kushte shumë të rëndësishme për blegtorinë”.

“Mund të thuhet kështu sepse me këtë Marrëveshje, me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, do t’i tjetërsohen Kosovës vise me vlera të mëdha turistike, çfarë janë të rralla jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë në përgjithësi”, thotë akademik Qosja në shkrimin e tij autorial.


Arivisti Company