E shtunë, 20 Qershor 2015
Tiranë – S’ka patur qeveri më antiurbane se ajo e Partisë Demokratike. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në një intervistë për Top Channel.
Duke folur për rilindjen e qendrave urbane të Shqipërisë, kryeministri theksoi se qeveria është e fokusuar në vendosjen e një rilindjeje shpirtërore me njeriun që banon aty.
“Kemi vendosur drejt rilidhjes shpirtërore të njeriut ku banon. Këta janë njësoj si talebanët, kanë tmerr nga e bukura. E kemi filluar nga qendrat e qyteteve sepse nuk ka një histori që të thotë se një vend zhvillohet duke e kapur nga bishti. U la Shqipëria 20 e kusur vite me qendra të kthyera në parkingje që gjithçka ishin por jo të qytetarëve. Ky është fillimi i një transformimi që Shqipëria do ta ndiejë”, u shpreh kryeministri.
Rama iu përgjigj akuzave të disa mediave dhe të opozitës se programi “Rilindja Urbane” janë investime elektorale.
“Ne nuk kemi shpikur një formë të ndërmjetme ose indirekte për të bërë fushatë me fondet. Kemi ristrukturuar një fond që ka qenë aty, fond i grantit të kushtëzuar për njësitë vendore. Ne e kemi ristrukturuar duke e kthyer në Fond të Zhvillimit të Rajoneve. Nuk kemi marrë para nga pjesë të tjera për të bërë këtë, thjeshtë e kemi riorganizuar”, shtoi Rama.
Por përtej kësaj, mazhoranca e drejtuar prej tij ka ndërmarrë edhe një sërë reformash e masash, që nuk cilësohen si popullore. Bëhet fjalë për aksionet kundër ndërtimeve pa leje, për aksionet kundër vjedhjes së energjisë dhe shlyerjes së detyrimeve të prapambetura në këtë sektor, që nuk janë ndalur as në ditët e fushatës.
“Kam besuar që në fillim, kam qenë shumë në minorancë dhe i vetëm në fillim, kur kam mbrojtur bindjen time që platforma nuk do të largojë njerëzit sepse njerëzit kanë një sens shumë të përpunuar të gjësë së duhur dhe reformat do të kishin mbështetje dhe pak nga pak, mesa duket kanë nisur të binden edhe shumica, dhe kjo fushatë e konfirmon këtë që njerëzit vazhdojnë të kenë një pritshmëri shumë të lartë ndaj nesh, këtë e konfirmojnë edhe anketimet që ne kemi. Reformat kanë krijuar shpresë. Ka edhe shumë për të bërë, sakrifica që duhet të bëjmë së bashku”, deklaroi ai.
Kryeministri u shpreh se fushata e organizuar nga Partia Demokratike, është një turp, një tallje, një formë e dëshpërimit të PD-së në mungesë të një organizimi dhe drejtimi.
“Të dalësh në fushatë dhe t’ju thuash njerëzve votoni Malon, sepse po votuat Malon në 21 qershor, në 22 qershor pensionet do t’ju bëhen si në Evropë, dhe nafta do t’ju kushtojë më pak se dhalli. Është një fushatë që flet për pensione si në Evropë, dhe që flet për të njëjtat gjëra që fliste përralla nga e kaluara që shqiptarët e fshinë në 23 qershor. Kjo është një tallje e madhe që edhe Sudja të ishte kryetare e PD-së, do të ishte më e përmbajtur. Jepini votën Malos që deti që shikoni të bëhet kos dhe të mos keni nevojë më për asgjë tjetër vetëm për lugën”, u shpreh Rama.
Etiketa: Edi Rama, Partia Demokratike, Shqipëri