Rama largon 8 ministra prej 5 vitesh në detyrë


E premte, 28 Dhjetor 2018

TIRANË – Tetë ndryshime dhe një shtim përbëjnë lëvizjet që Edi Rama vendosi të bëjë në ekipin e tij qeveritar.

Një riformatim që prek më shumë se gjysmën e kabinetit, duke filluar me largimin e numrit dy, zv/kryeministres Senida Mesi, në vend të së cilës shkon Erion Braçe, i vetmi që mori duartrokitjen e Asamblesë.

Mes ministrave, Rama zgjodhi të largojë të gjithë ata që ishin prej 5 vitesh në qeveri, ndonëse vlerësoi punën e tyre për sa është bërë deri më tani. Nga gjithë të tjerët veçoi ministrin e Transportit dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, të cilin e zëvendëson me Belinda Ballukun, ish-shefen e kabinetit kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, aktualisht drejtuese e Albkontrollit.

Lindita Nikolla nuk i mbajti dot lotët, tashmë që Ministrinë e Arsimit do ta drejtojë vartësja e saj Besa Shahini, e cila deri më tani ka mbajtur detyrën e zv/ministres së Arsimit.

Në krye të dikasterit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj do t’i lërë vendin Anila Denajt, që drejton Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.

Në Ministrinë e Jashtme edhe Ditmir Bushati do t’i lërë vendin vartësit të tij Gent Caka, aktualisht zv/ministër për Integrimin në këtë dikaster, ndërsa më herët ka qenë këshilltar i kryeministrit.

Te Bujqësia në vend të Niko Peleshit shkon Bledi Çuçi që rikthehet kështu në qeveri.

Te Kultura Mirela Kumbaro do t’i lërë vendin Elva Margaritit, që aktualisht koordinon projektin e 100 fshatrave.

Ministrja për Sipërmarrjen Sonila Qato i lë vendin Eduard Shalsit, që aktualisht drejton Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ndërsa rikthehet posti i Ministrit për Marrëdhënien me Parlamentin, që i besohet Elisa Spiropalit.

Në Asamble, Rama nuk i kurseu kritikat për partinë, duke u ankuar se porositë e tij janë injoruar. Për këtë, ndryshimeve nuk do t’i shpëtojë as Kryesia dhe Asambleja e partisë.

Asambleja vendosi të thërrasë Kongresin e Partisë Socialiste më 23 mars.

Etiketa: , ,