Rama në KE: Kosova me Shqipërinë, si shpirti me trupin


E mërkurë, 12 Tetor 2022

STRASBURG – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij në Asamblenë e Këshillit të Evropës, e cilësuar lidhjen e Kosovës me Shqipërinë aq të ngushtë, si atë të trupit me shpirtin.

Rama në Strasburg po i drejtohet me një fjalim kësaj Asambleje, ku pritet t’i kërkojë përfaqësuesve evropianë mbështetje për ngritjen e një raporti që hedh poshtë akuzat e Dick Marty mbi krimet e luftës në Kosovë, edhe ndaj liderëve të UÇK-së.

“Përfaqësoj Shqipërinë por nuk kam ardhur të flas vetëm për Shqipërinë, edhe pse tema lidhet me Shqipërinë si shpirti me trupin. Kjo ka lidhje me çështjen e marrëdhënies së një vendi me të shkuarën e vet dhe ndikimin që kjo mund të ketë në zhvillimin e tij në të ardhmen”.

“Ta kthesh një histori konflikti në histori bashkëpunimi, kërkon jo vetëm guxim, vullnet të mirë dhe besim mes shteteve, por edhe guxim të bashkëndarë të institucioneve ndërkombëtare. Nëse këto institucione dështojnë të japin drejtësi, dëmi është i madh, një goditje ndaj të gjitha përpjekjeve tona për të kthyer një faqe të errët të historisë sonë, për të shkruar një faqe tjetër”, është shprehur ai.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Rama ka thënë se “për ju lufta është një kujtim i largët, për ne një plagë që ende dhemb”.

Kryeministri shqiptar tutje u ka kërkuar përfaqësuesve në Këshill të Evropës që emrin e Kosovës çdo herë ta shkruajnë drejt – pra Kosova dhe jo Kosovo.

“A nuk do të ishte një mrekulli nëse ju këtu në këtë Këshill të nderuar, të nisnit të iu mësonit edhe të tjerë organizmave institucionale dhe të politikës ndërkombëtare që ta shkruajnë Kosovën me emrin e vet zyrtar, pra Kosova e jo Kosovo. Kurrë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur”.

Etiketa: , , , ,
Të fundit