Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Rama në OKB: Ballkani ende nuk e ka gjetur vendin në Evropë

Prizren Post | 16:37 - 26.09.2015

Ndërsa vlerësoi bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si domosdoshmëri për jetesën në paqe dhe harmoni, Kryeministri u shpreh se kjo gjë është thelbësore për qëndrueshmërinë.

​Në vijim të vizitës së tij në New York, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, iu adresua seancës së posaçme për zbatimin e agjendës së zhvillimit post 2015, në Samitin e Kombeve të Bashkuara, ku merrnin pjesë liderë botërorë nga të gjitha shtetet anëtare.

Kjo seancë e posaçme, që u përshëndet edhe nga Papa Françesku, u fokusua në çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm. Pas më shumë se tre vjet negociatash intensive, u ra dakord për një agjendë ambicioze dhe transformuese për Zhvillim të Qëndrueshëm të arritshëm në kufijtë e vitit 2030. Për Shqipërinë, Agjenda e re globale do të shërbejë si një pikënisje për një angazhim të ri, për një program zhvillimi me ambicioz në një sërë fushash që do të harmonizojnë angazhimet evropiane me nevojën për ta çuar vendin në nivelin e vendeve të zhvilluara të kontinentit.

Duke e vlerësuar agjendën si tepër kurajoze, Kryeministri Rama u shpreh në fjalën e tij se ajo është rruga për të lëvizur nga një bashkëpunim i thjeshtë në një partneritet global.

Kryeministri theksoi se për Shqipërinë qëndrueshmëri do të thotë përforcimi i shtetit të së drejtës dhe vlerave demokratike shoqërore

“Agjenda e re është universalisht e zbatueshme dhe ka të bëjë me të gjithë ne, të gjitha vendet, me të gjitha dallimet tona dhe realitetet e ndryshme kombëtare, dhe sigurisht ka të bëjë me vendin tim, Shqipërinë. Më lejoni të shpjegoj shkurtimisht pse, çfarë do të thotë për ne qëndrueshmëria për të tashmen dhe vitet në vijim. Do të thotë të përforcojmë shtetin e së drejtës, të forcojmë vlerat tona demokratike shoqërore, të thellojmë harmoninë e gjerë shoqërore. Këto janë themelet e rrugës sonë të zhvillimit dhe garancitë e kohezionit tonë social. Kohezion social, bashkëjetesë dhe bashkëpunim fetar janë ndër pasuritë kryesore të shqiptarëve kudo që ata jetojnë, jo vetëm në Shqipëri. Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet një shembull bashkëjetese, sepse kjo bazohet në një pjesë të vër tetë dhe të prekshme të historisë,” tha Rama.

Në vijim, Kryeministri theksoi mes të tjerash se Reforma në Drejtësi që po ndërmerret do të bashkojë më shumë shtetin me qytetarët.Teksa iu referua vlerës më karakterizuese të shqiptarëve në shekuj, harmonisë fetare, Kryeministri u shpreh se ky shembull, u vlerësua frymëzues nga Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

“Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, e cila ishte dhe vizita e tij e parë në Evropë, Papa Françesku deklaroi se harmonia ndërfetare e shqiptarëve është një model frymëzues për botën, e cila tregon se bashkëjetesa mes të krishterëve dhe myslimanëve, jo vetëm është e mundur, por është e dobishme për zhvillimin e një vendi, dhe se ky është një vend unik ku bashkëjetesa në paqe dhe bashkëpunim ekziston midis myslimanëve, katolikëve, ortodo ksëve, të krishterë dhe njerëzve pa asnjë farë feje,” tha më tej Rama.

Ndërsa vlerësoi bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si domosdoshmëri për jetesën në paqe dhe harmoni, Kryeministri u shpreh se kjo gjë është thelbësore për qëndrueshmërinë.

“Shqipëria zhvillohet brenda një rajoni, Ballkanit, i cili akoma po përpiqet të gjejë vendin e tij të begatë në Europën e Bashkuar. Megjithatë, ende në pritje për t’u kualifikuar si anëtarë të BE-së, ne jemi duke bërë gjithçka që mundemi, ndërmjet nismave konkrete, për të sjellë më afër gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të rrisim bashkëpunimin në çdo fushë të jetës. Dihet botërisht se sa më shumë bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, sa më shumë bashkëndajmë, sa më shumë jemi të ndërlidhur, sa më shumë e njohim dhe e pr anojmë njëri-tjetrin, kemi më shumë shanse që të jetojmë dhe të punojmë së bashku në paqe dhe harmoni. Sigurisht, kjo gjë është thelbësore për qëndrueshmërinë,” tha më tej Rama.

Ndërkohë që Kryeministri do të mbajë fjalën e tij përpara Asamblesë së Përgjithshme Kombeve të Bashkuara në datën 2 tetor.


Bëni një koment