Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Rama: Regjimi i vizave, turp për BE-në

Prizren Post | 14:09 - 23.03.2015

Tiranë – Dy kryeministrat Edi Rama dhe Isa Mustafa kanë mbajtur një konfercencë të përbashkët për mediat, ku kanë prezantuar të gjitha marrëveshjet mes tyre në mbledhjen e përbashkët.

Kryeministri Edi Rama tha se duke nisur nga ky sezon veror qytetarët nuk do të provojnë më radhë në pikat e kalimit kufitar mes dy vendeve. Po ashtu lehtësi do të kenë edhe tregtarët që shkëmbejnë mallra mes dy vendeve

“Çdo pikëkalimi drejt Shqipërisë, kam parasysh pikën kryesore në rrugën e Kombit në një pikë pa radha ku kontrolli të bëhet i rastësishëm ashtu siç bëhet në kufi të BE, për shembull me Zvicrën. Morëm në shqyrtim hapat e domosdoshëm për bashkëpunimin ekonomik, nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë, firmosëm memorandum mirëkuptimi mes ministrive të financave, shtuar këtu edhe vendosja e piketave të mëtejshme për bashkëpunimin në fushën e bujqësisë.

Jemi të vendosur që brenda vitit ti heqim barrierat e natyrës administrative dhe të njehsojmë dokument e nevojshëm tregtarë për tregtinë që të mos punojnë me dy palë dokumente kur është fjala për shkëmbimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral ku është e domosdoshme të veprojmë me shpejtësi dhe do ta bëjmë këtë për të njohur reciprokisht, burimet e certifikimit”, u shpreh Rama.

Rama tha se ministritë e Arsimit të dy vendeve firmosën marrëveshje për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë.

“Ecim më tej me unifikimin e sistemit tonë arsimor, një angazhim themelor në rrugën e bashkimit të institucioneve të dy shteteve tona për të funksionuar si një forcë e vetme në shërbim të një populli”, tha Rama.

Regjimi i vizave për Kosovën, ishte një prej temave më të nxehta për të cilën vetë kreu i qeverisë shqiptare, foli ashpër ndaj Bashkimit Evropian. Ai e cilësoi si një paradoks dhe një padrejtësi cinike që po i kryhet ndaj Kosovës.

“Mos heqja e vizave për qytetarët është një paradoks i madh, kur në të kaluarën mund të lëviznin lirisht drejt Evropës. E ka kthyer Kosovën në një enklavë dëshpëruese të burokracisë evropiane. Regjimi i vizave sot në Kosovë është një padrejtësi cinike ndaj Kosovës e duhet të marrë fund një orë e më parë. Nuk cenon vetëm dinjitetin e Kosovës, por të vetë Evropës. Mbajtja e Kosovës nën regjimin e vizave është turp për BE-në”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama./shekulli/


Etiketa:
Arivisti Company