E premte, 17 Tetor 2014
Tiranë – Menjëherë pas deklaratës së Vuçiç, i cili tha se po e rimendon vizitën e kryeministrit Rama në Serbi, ka reaguar edhe kreu i qeverisë shqiptare.
Përmes një deklarate në profilin e tij në Facebook, Rama tha se Serbia do të jetë normale në realitet, vetëm kur të kuptojë se “Shqipëria e Madhe” nuk është projekt i shqiptarëve, por makthi i serbëve.
“Serbia Normale do jetë realitet, veç kur Serbia Reale do kuptojë se Shqipëria e Madhe është makthi i tyre, jo projekti ynë”, tha Rama në Facebook.
Kryeministri u shpreh sot në Forumin Kenedi në SHBA, se vizita e tij në Serbi do të kryhet, dhe se kjo vizitë është një mundësi për t’i treguar botës që ballkanasit janë në gjendje të ecin përpara dhe të jenë partnerë me Evropën.
Por homologu i tij, kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç, deklaroi se ende nuk e ka vendosur, nëse do të lejojë vizitën e Ramës në Serbi, dhe se brenda fundjavës do të vendosë nëse ai do të jetë i ftuari i tij ose jo. Vuçiç tha se nuk i druhet bisedimeve por se “dikush po kërkon të kërcënojë Serbinë dhe të shkaktojë destabilitet në rajon”./shekulli/
Etiketa: Aleksandar Vučić, Edi Rama, Serbia, Shqipëria e Madhe