Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Rama u kërkon ndihmë pensionistëve

Prizren Post | 12:47 - 20.01.2015

Tiranë – “Nxisni fëmijët dhe të afërmit tuaj, mos të shohin vetëm për sot duke punuar në të zezë, por të paguajnë kontributet e sigurimit shoqëror”. Me këtë thirrje, iu është drejtuar përmes një letre të personalizuar pensionistëve shqiptarë kryeministri Edi Rama.

Duke sqaruar skemën e re të pensioneve, e cila ka hyrë në fuqi për të gjithë ata që do të dalin në pension pas datës 1 janar të këtij viti, Rama shkruan se nuk kufizohet më asnjë nga pensioni tavan.

“Formula e re e llogaritjes së pensionit, që do të zbatohet duke filluar me ata që do të dalin në pension pas datës 1 janar 2015, nuk kufizohet më nga asnjë pension tavan dhe garanton një pension më të lartë për të gjithë ata që kanë më shumë vite të siguruara e në varësi të shumës që kanë kontribuar. Ja pse dua t’ju kërkoj sot ndihmë, me përulësi e mirënjohje, që të nxisni fëmijët, nipat, mbesat apo të afërmit tuaj, që të mos shohin vetëm sot për sot duke punuar në të zezë, por të paguajnë kontributet e sigurimit shoqëror”, shkruan Rama në letrën drejtuar pensionistëve.

Gjithashtu Rama bën me dije se kjo skemë do të përmirësojë të ardhmen e çdokujt që punon sot, për të pasur një pension të denjë. Reforma nuk prek asnjë të drejtë, ndërkohë që kryeministri Edi Rama thekson se “qeveria do të punojë me mish e me shpirt që t’ju rrisë vijimësisht pensionin”.


Etiketa:
Arivisti Company